Sport

Garuesit me aftësi të kufizuara synojnë garën e famshme Le Mans

Foto: Reuters

Nëse këmbët e Ash Hallit nuk do të ishin shkatërruar në Afganistan, eksperti i çmontimit të bombave në Ushtrinë britanike, nuk do të kishte qenë pjesë e skuadrës që po synon të futet në garën 24-orëshe me vetura të Le Mansit.

E nuk do të ishte as Martyn Compton, rruga e të cilit për t'u bërë pilot i veturave garuese nisi kur pësoi 75 për qind djegie trupore, pasi tanku ku ishte ai, u godit në një fshat në provincën Helmand në vitin 2006.

Dy ish-ushtarët janë pjesë e Team Brit, që po synon të bëhet skuadra e parë, e tëra me garues që kanë gjymtyrë të humbur, që do të marrë pjesë në garën më të vështirë në botë me vetura dhe kjo me gjasë në vitin 2021, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. E themeluar nga Dave Player, një ish-ushtarak tjetër, Trupat e Lënduar Garues të Britanisë (BRIT), siç njihet skuadra, përdor vetura Aston Martin Vantage të përshtatura me kontroll të dorës 'high-tech' për të garuar në kushte të barabarta me garues me aftësi të plota.

Image

“Garimi në Le Mans nuk është pyetje nëse, por kur”, tha Hall në inaugurimin e akademisë garuese të Team Brit në Dunssfold, një aeroport i Luftës së Dytë Botërore në jug të Londrës.

Një mekanik para se t'i bashkohej ushtrisë, Hall nisi garimin gjashtë vjet pas rehabilitimit, gjatë të cilit u desh të mësonte të ecte sërish. Pos humbjes së këmbeve, ai humbi edhe gishtat në dorën e tij të majtë, pësoi frakturë në pelvis, theu shpinën, dëmtoi mushkëritë dhe retinën e syve, kur i shpërtheu një bombë të cilën po tentonte ta çmontonte në vitin 2010. Compton ndërkohë u ishte nënshtruar operimeve për më tepër se 500 orë dhe ka pësuar çrregullime pas-traumatike, por e përshkruan veten me fat.

“Motosport më ka larguar nga izolimi dhe nga mendimi për çdo gjë. Ma ka sjellë atë që më mungonte, adrenalinën dhe punën ekipore”, thotë Compton.

Dhe siç tha Hall, garimi në Le Mans nuk bën të vihet në diskutim, por thjesht duhet pritur momentin.