Sport

Dy shqiptarët e Lazios e presin në ankth miqësoren në Prishtinë

Descriptive Text

Miqësorja ndaj Danimarkës do t'i paraprijë fillimit "të epokës" së re për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll - kualifikimeve për "Euro 2020", shkruan sot Koha Ditore.

Ndeshja Kosovë - Danimarkë luhet më 21 mars në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë, ndërsa katër ditë më vonë në arenën e njëjtë vjen Bullgaria për ndeshjen e parë të kualifikimeve. Kosova nuk ka luajtur deri më tash me Danimarkën dhe nuk ka ndonjë të kaluar me këtë përfaqësuese të nivelit të lartë evropian.

Megjithatë, Kosova e Danimarka kanë një të "përbashkët" të vogël - vështirësitë e lojtarëve të tyre për të shpërthyer këtë edicion te Lazio. Te skuadra nga Roma luan lideri i mesfushës së Kosovës, Valon Berisha dhe mbrojtësi i majtë shqiptar, Riza Durmishi, që i ka plot 23 ndeshje për Danimarkën.

Të dy shqiptarët kanë kaluar në verën e vitit 2018 te Lazio, klubi që menaxhohet në aspektin sportiv nga Igli Tare. Por të paktën deri më tash kalimi në skuadrën italiane nuk doli të jetë i qëlluar si për Berishën, ashtu edhe për Durmishin, që me prejardhje është nga Maqedonia.

Mesfushori Berisha (26) ka munguar në shumicën e ndeshjeve. Ende nuk e ka kompletuar asnjë ndeshje në Serie A. Ka luajtur në tetë prej 25 ndeshjeve të deritashme të Lazios, ndërsa ka startuar vetëm në njërën prej tyre. Janë problemet muskulore që i kanë kushtuar shumë Berishës këtë edicion. Për shkak të problemeve me muskuj të kofshës, Berisha edhe tash është jashtë fushës.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).