Sport

Ademi flet për akuzat për ndihmë financiare për Prishtinën dhe për djalin e Fadil Vokrrit

E nisi Llapi për ta vazhduar Feronikeli, një akuzë në drejtim të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kryetarit Agim Ademi, se po ndihmojnë financiarisht, Prishtinën.

Llapi përmendi shumën prej 38 mijë eurosh, që FFK-ja ia kishte ndarë Prishtinës, një ditë para ndeshjes, javën e kaluar, që sipas klubit nga Podujeva, ndihmoi Prishtinën të paguajë borxhet.

Një akuzë të njëjtë e bëri edhe Feronikeli një ditë më pas, derisa FFK-ja reagoi përmes një komunikate se nuk ka ndihmuar asnjë skuadër financiarisht, e reagim kishte bërë edhe Prishtina, që po ashtu kishte mohuar ndihmën nga Federata, raporton KTV.

Të enjten, kryetari i FFK-së, Agim Ademi para medieve e pranoi se është paguar Prishtina, por me shumën prej 12 mijë e 500 euro, si pjesë të të drejtave televizive që u takojnë skuadrave.

“Ajo shuma, 38 mijë euro, nuk qëndron dhe nuk ka qëndruar. Prandaj, jemi me të gjithë Komitetin këtu për ta sqaruar se ajo nuk qëndron. Klubet marrin vetëm ato para që u takojnë nga Federata e Futbollit, asnjë cent më shumë, përveç atyre që u takojnë. Ne do t’u ndihmojnë të gjitha klubeve aq sa kemi mundësi. Superliga i ka pagesat e të drejtës televizive, që i transmeton ndeshjet, që i kanë të rregullta, si dhe i kanë paratë e sponsorit IPKO. Secili klub i merr në baza të barabarta. Të gjithat pagesat do të verifikohen sepse të gjitha bëhen përmes bankës. Kontratat me Digitalbin, çdo klub i ka nënshkruar në fillim të sezonit. Ne nuk kemi ndikim aty, por ne jemi për t’iu ndihmuar. Për këtë arsye, kur klubet kanë nevojë t’i marrin këto para më herët, ne ua japim më herët, siç ka ndodhur me 7 apo 8 klube këtë sezon, si Llapin. Edhe klubet të cilat shkojnë në garat e UEFA-s, Europa League dhe Ligën e Kampionëve, ne ua japim paratë më herët për t’iu ndihmuar. Ndërsa 8 mijë euro i janë dhënë Prishtinës për akademinë e futbollit. Kjo shumë i jepet të gjitha klubeve dhe është projekt i UEFA-s”, ka thënë Ademi.

Ademi foli edhe për ndarjen e drejtësisë nga gjyqtarët e futbollit, ndaj të cilëve janë shtuar kritikat nga klubet.

“Nuk do të tolerojmë asnjëherë parregullsi. Kampionati do të jetë i kontrolluar në maksimum nga Komisionet dhe Komiteti Ekzekutiv, të cilin e kam këtu afër. Çdo ndeshje është monitoruar edhe nga një super kontrolle”, ka thënë Ademi në konferencë.

Ndërsa një tjetër problem që i ka dalë Ademit është edhe djali i Fadil Vokrrit, Gramozi, i cili nuk është më pjesë e Federatës.

“Gramozi është anëtar i yni dhe ka bërë kontratë me ne. Ai është i mirëpritur në Federatë në çfarëdo pozite. Jo për përvojën që e ka, por si djalë i legjendës Vokrri, por edhe si një djalë i ri që është rritur në Evropë. Ia kemi ofruar një kontratë të re, por ai nuk ka pranuar ta nënshkruajë. Nuk e di përse. Por, ua përsëris së ai i ka dyert e hapura këtu. Gramozi qe një kohë është i punësuar në Federatë, me një kontratë që ia kemi ofruar. Pozita është drejtor për marrëdhënie me jashtë. Sot e asaj dite Gramozi ka disa ditë që nuk po vjen në Federatë, ndoshta më pak se një muaj. Nuk e dimë se përse ai nuk po vjen. Jemi munduar t’ia japim postin më të mirë dhe që i përgjigjet ky post. Ndoshta është një post që nuk ju ka përshtatur. Ia kemi ofruar disa pozita. Drejtor i edukimit, drejtor i marketingut, drejtor i regjioneve, drejtor i garave, nuk e ka gjetur veten në këto pozita”, tha Ademi.

Sipas zëvendës sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Arianit Ahmeti, Gramoz Vokrrit i janë ofruar 5 pozita, në FFK, por ai ka kërkuar vetëm pozitën e drejtorit të përgjithshëm.