Skuadra e Golden Eagle Yllit gjatë kësaj jave do t'i shtojë edhe dy përforcime për pjesën e mbetur të këtij edicioni në Superligën e Kosovës në basketboll.
Kryetari i klubit nga Suhareka, Naim Berisha, ka bërë të ditur se janë në negociata të avancuara me lojtarët amerikanë, që luajnë në pozitat 1 dhe 5, por që nuk ka zbuluar emrat e tyre.
Sipas Berishës, Ylli njërin prej tre amerikanëve aktualë do ta zëvendësojë, derisa tjetrin do ta sjellë për ta zëvendësuar kapitenin Artin Gashi që për shkak të lëndimit e ka mbyllur edicionin para kohës.
"Shumë shpejt pritet t'i sjellim edhe dy të huaj dhe besoj që gjatë kësaj jave do të kompletojmë transferimin e tyre. Kemi të drejtë edhe për një të huaj, që do ta zëvendësojë Artinin. Me ardhjen e këtyre do të kompletohet ekipi për pjesën e mbetur të edicionit, ku synojmë të paktën të shkojmë deri në finale të plejofit. Ne duam ta ngremë edhe më shumë nivelin e lojës dhe të jemi konkurrentë të fortë deri në fund të këtij edicioni", tha Berisha për gazetën Koha Ditore.
Ylli aktualisht renditet i dyti në tabelë, kurse në ekip ka amerikanët Garrius Holloman, Romelo Banks e Terrell Everett. Ndeshjen e ardhshme, Ylli e luan këtë vikend kundër Lipjanit në udhëtim.