Sport

IHF Trophy Intercontinental do të organizohet në Kosovë

Federata e Hendbollit të Kosovës do të organizojë garën prestigjioze IHF Trophy Intercontinental.

Lajmin e bëri të ditur FHK-ja pas një takimi që drejtuesit e kësaj federate patën me presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, Hassan Moustafa.

Nga 9 deri më 15 prill, në Prishtinë do të mbahet faza interkontinentale e IHF Trophy për hendbollistët deri 19-vjet dhe për ata deri në 21-vjet.

“Ky sukses shumë i madh vjen për Federatën tonë pas organizimit të shkëlqyeshëm të IHF Trophy për Evropë (U-18, U-20) që u mbajt në Prishtinë muaj më parë. Të gjitha kombëtaret pjesëmarrëse, por edhe zyrtarët e IHF-së e vlerësuan organizimin si shumë të mirë. Edhe vetë presidenti Moustafa ka lavdëruar FHK-në për atë organizim. Dhe kështu Kosovës i është besuar edhe organizimi I garës IHF Trophy në nivel Interkontinental. Kjo vlerësohet me shumë rëndësi për faktin se hapet rruga që Kosova U-21 të marr pjesë në botërorin U-21 për hendbollistë që mbahet nga data 14-29 Korrik 2019 në Spanjë. Fituesi i IHF Trophy Intercontinental në grupmoshën U-21 kualifikohet për në Botëror. Ende asnjë kombëtare e Kosovës e sporteve kolektive nuk është paraqitur në botëror dhe hendbolli mund të jetë sërish i pari, si shumë herë deri më tani”, thuhet në njoftimin e FHK-së.

Rivalin më të madh për organizimin e kësaj ngjarje Kosova e kishte Paraguain.

FHK thotë se në takim me IHF-në i është premtuar përkrahje për shkollim të trajnerëve e gjyqtarëve, ndërsa përkrahja s’do të mungojë as në pajisje të ndryshme të hendbollit.