Sport

Policia: Nuk janë thyer zyrat e Federatës së Skitarisë në Brezovicë

Policia: Nuk janë thyer zyrat e Federatës së Skitarisë në Brezovicë

Policia e Kosovës, ajo në Ferizaj, përmes një raporti, ka njoftuar se lidhur me informacionin se gjatë ditës së djeshme janë thyer zyrat e Federatës së Skitarisë në Brezovicë, Kryetari i Federatës së Skitarisë së Kosovës, Milaim Kelmendi fillimisht ka kontaktuar me telefon Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj, duke thënë se iu kishte thyer zyra në Brezovicë.

“Lidhur me këtë rast, hetuesit e Stacionit Policor në Shtërpcë kanë marrë veprimet e duhura. Në vendin e ngjarjes, në hotelin “Molika”, (ku edhe ndodhet zyra e Federatës së Skitarisë së Kosovës), patrulla e policisë është takuar me nënkryetarin e kësaj federate, Sërgjan Angjellkoviq, dhe së bashku me të kanë shkuar në zyrën e lartpërmendur dhe kanë konstatuar këtë gjendje: Zyra nuk është thyer. Nuk kishte asnjë shenjë të hyrjes me dhunë dhe në zyrë nuk ishte Lap – topi dhe as gjërat e tjera të cilat janë shfrytëzuar aty. Ngjitur me këtë zyrë, ndodhet edhe zyra e drejtorit të hotelit “Molika”, me të cilin hetuesit policor kanë biseduar dhe i njëjti ka thënë se, gjërat nga zyra e Federatës janë bartur me proces-verbal në një tjetër zyrë, nga shkaku se aty pikonte”, thuhet në komunikatë.