Sport

Arbitrat kosovarë nën ombrellën e Konventës së UEFA-s

Arbitrat e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), janë anëtarësuar në Konventën e Gjyqtarëve të UEFA-s dhe për këtë është mbajtur një konferencë për shtyp të hënën.

Anëtarësimi i arbitrave kosovarë është vlerësuar shumë i rëndësishëm nga kreu i FFK-së, Agim Ademi, i cili ka falënderuar instruktorin Alan Snoddy për kontributin e tij.

“Tashmë edhe gjyqtarët tanë do të jenë të barabartë me gjithë gjyqtarët e futbollit të federatave të tjera dhe kjo na bënë shumë krenarë. Më i merituari për këtë është mësuesi ynë, Alan Snoddy që ka punuar vazhdimisht për këtë sukses”, është shprehur Ademi.

Anëtarësimi në Konventën e Gjyqtarëve të UEFA-s, ofron edhe mundësinë për mbështetje financiare sa u përket projekteve zhvillimore dhe ngritjes së gjyqtarëve, por edhe vëzhguesve e instruktorëve.

Këtij anëtarësimi i është gëzuar edhe kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani. Procesi i anëtarësimit në Konventën e Gjyqtarëve të UEFA-s kishte filluar në shtator të vitit 2016, kur presidenti tashmë i ndjerë i FFK-së, Fadil Vokrri, kishte mbajtur takimin e parë me zyrtarët e UEFA-s rreth kësaj çështjeje.