Sport

Pellegrini: Kloppi është mësuar të fitojë me gola nga pozita jashtë loje

Descriptive Text

Trajneri i West Hamit, Manuel Pellegrini, ka thënë se trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp “është mësuar të fitojë ndeshje me gola jo të rregullt”, pasi dy ekipet barazuan 1 me 1 të hënën në Premier Ligë.

Një gol i Michail Antonios ia pamundësoi fitoren Liverpoolit dhe të ketë pesë pikë distancë nga Manchester City në krye të tabelës. James Milner i “Të Kuqve” ishte në pozitë jashtë loje në aksionin që i dha epërsinë Liverpoolit, por aksioni nuk u ndërpre nga anësori.

Edhe sulmuesi Divock Origi i Liverpoolit ishte në pozitë jashtë loje në fund të takimit, por as aksioni i tij nuk u ndërpre nga gjyqtarët.

Pas takimit, kiliani Pellegrini ka thënë se Kloppi e kishte mposhtur edhe në të kaluarën me gabime të gjyqtarëve, duke kujtuar fitoren e Dortmundit ndaj Malagas 3 me 2 në çerekfinale të Ligës së Kampionëve më 2013. Në golin e fitores së Dortmundit, katër lojtarë ishin në pozitë jashtë loje.

“Klopp është mësuar të fitojë me gola nga pozita jashtë loje. Më pati mposhtur me Malagan me një gol shtatë metra jashtë loje – andaj ai s’mund të ankohet për asgjë”, ka thënë Pellegrini.

Këto deklarata të Pellegrinit erdhën pasi Kloppi tha se performanca e gjyqtarit ishte ndikuar nga gabimi i anësorit në golin e Sadio Manes.

“Gjyqtari nuk donte të rriste hendekun më shumë në pjesën e dytë”, ka thënë Kloppi.