Me një performancë falë së cilës u vlerësua "e paprekshme", Majlinda Kelmendi të enjten fitoi medalje të artë në turneun Grand Prix të xhudos që po mbahet në Tel-Aviv në Izraelit. Nuk është diçka e re që paraqitja e Majlindës të marrë vlerësimet më të larta. Me gjithë telashet me lëndime ajo vazhdon të fitojë për Kosovën medalje në garat e nivelit më të lartë.
Ajo dhe pjesa tjetër e ekipit të Kosovës në xhudo po vazhdojnë që përmes sukseseve të promovojnë vendin nëpër botë. Por po ashtu xhudistët elitarë përmes sukseseve të tyre po kryejnë punë edhe të diplomacisë kosovare - po bëjnë të mundur që shtetësia e Kosovës të pranohet nëpër botë, shkruan sot Koha Ditore.
Nëse diplomacia nuk po ia del të bindë shumë shtete që ta njohin Kosovën, xhudistët me sukseset e tyre po i detyrojnë një pjesë të mirë të atyre vendeve që në praktikë të pajtohen me shtetësinë e Kosovës.
Këtë po e bëjnë duke u paraqitur me simbole të vendit, duke mundësuar që flamuri i Kosovës të ngrihet lart nëpër arenat më të mëdha sportive e po ashtu që me mijëra shikues të ngrihen në këmbë në nderim të himnit të Kosovës.
Është shumë e gjatë lista e shteteve që nuk e njohin Kosovën e që falë xhudos, të paktën në rrafshin sportiv, janë detyruar të pranojnë atë. Izraeli është prej vendeve që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës. Të enjten, falë medaljes së artë të Majlindës në kategorinë deri 52 kilogramë, flamuri i Kosovës u ngrit lart në palestrën në Tel-Aviv, kurse po ashtu u intonua himni i Kosovës.
Për xhudistët nuk është diçka e re që të ofrojnë njohje praktike për vendin, në shtetet që zyrtarisht nuk pranojnë Kosovën. Madje shumica e medaljeve më të mëdha të Kosovës janë fituar në shtete të tilla refuzuese. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).