Sport

Barça e hapur për shkëmbimin Neymar – Coutinho

Barcelona raportohet se është shprehur e hapur ndaj idesë për rikthimin e Neymarit në Camp Nou dhe kalimin e Philippe Coutinhos te Paris Saint-Germaini.

Neymari kaloi te PSG-ja për 220 milionë euro gjatë gushtit të vitit 2017, duke i dhënë fund katër vjetëve në Spanjë.

Përkundër mohimeve për një rikthim të mundshëm, shpesh ka pasur raportime se braziliani dëshiron kalimin në Barça.

Në anën tjetër, Coutinho është lidhur me një kalim te PSG-ja pasi ka dështuar të tregojë formën e tij më të mirë në Spanjë.

Sipas ekspertit të futbollit spanjoll, Graham Hunter, Barça do të donte të shfrytëzonte mundësinë e shkëmbimit të brazilianëve gjatë verës.

“[Barcelona] ka plane të mëdha nëse Neymari është në shitje, pasi ai preferon kalimin dhe PSG-ja ende nuk dihet nëse ka thyer apo jo rregullat e fair-playt financiar”, ka thënë Hunter për Sky Sports.

“Phillipe Coutinho është blerë në kohën kur Barcelona u ndie keq me mënyrën se si u trajtua nga Neymari. Nuk kishin përgjigje dhe vendosën për transferimin e tij sepse donin që të ishin të shpejt me fansat dhe sponsorët”, ka shtuar ai.