Sport

Gjithçka rreth basketbollit kosovar më 2018

Viti 2018 do të mbahet mend për Federatën e Basketbollit të Kosovës, pasi arriti për herë të parë të organizojë Kampionatin Evropian në Divizionin C për grupmoshën U18. Në këtë divizion, Kombëtarja e Kosovës u shpall kampione, duke u ngjitur në një rang më lart për vitin 2019, në Divizionin B.

Në finalen e Eurobasketit të mbajtur në Prishtinë, Kosova triumfoi ndaj Qipros 73:64 për ta fituar medaljen e artë. Ndërkohë, basketbollisti pejan Rron Ukaj u shpall MVP-ja i këtij turneu, të mbajtur për disa ditë në kryeqytet.

Dorëhiqet Erdoll Belegu, Arben Fetahu kryetar i ri i FBK-s

Në këtë vit, pati ndryshime edhe në Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Erolld Belegu dha dorëheqje nga posti i kryetarit të FBK-së, pas konsultimit me Agjencinë Anti-Korrupsion, që vlerësoi se posti i Këshilltarit të Kryeministrit, paraqet konflikt interesi edhe me postin e kryetarit. Kështu FBK-ja, mbajti Kuvendin e jashtëzakonshëm për të zgjedhur kryetarin e ri, me dy kandidatë. Arben Fetahu ishte i propozuari i Bordit, por ai vendosi të dalë në terren dhe të mbledh nënshkrime, e Bordi në anën tjetër, nuk dha një tjetër kandidat. Kundër-kandidat i Fetahut, me shumë mund u bë Artan Rugova, pas shumë problemeve me FBK-në që i pamundësonte atij kandidimin. Në ditën e Kuvendit, pas shumë polemikave ndërmjet kuvendarëve, Arben Fetahu mundi Artan Rugovën, falë katër votave më shumë, për t’u bërë kryetar i ri i FBK-së.

Kombëtarja A e basketbollit, rezultate zhgënjyese

Pas përfundimit të kualifikimeve të zonës evropiane për botërorin “Kina 2019”, Kombëtarja A e Kosovës vazhdoi garat në kuadër të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021”. Por “Dardanët” në këto parakualifikime nuk i udhëhoqi trajneri që shkroi historinë, amerikani Brad Greenberg, që i skadoi kontrata me FBK-në.

Federata e Basketbollit të Kosovës, angazhoi, ish-basketbollistin e mirënjohur, Damir Mullaomeroviq, për ta udhëhequr Kosovën në këto parakualifikime. “Dardanët” në këtë garë janë pjesë e Grupit B, në të cilin bëjnë pjesë edhe Maqedonia dhe Rumania.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Pallatin e Sporteve në Prishtinë, Kosova u mposht nga Maqedonia 76:73. Pas kësaj, për përzgjedhësin Mullaomeroviq erdhën edhe dy humbjet tjera, me Rumaninë 88:83 dhe Maqedoninë (87:74) në udhëtim. Ndeshja në Gjevgjeli ishte e fundit për Kosovën këtë vit, që ka edhe një mundësi për kalimin e kësaj faze gjatë verës së vitit 2019.

Basketbolli i Kosovës në zi, humb jetën përfaqësuesi Gazmend Sinani

Mëngjesi i hershëm i 23 qershorit, ishte i kobshëm për basketbollin e Kosovës, Gazmend Sinani, i cili humbi jetën tragjikisht, në një aksident trafiku në Gjakovë.

Derisa po kthehej nga një ndejë, dhe derisa ishte pjesë e ekipit të Kosovës në përgatitje, makina ku ishte Sinani dhe basketbollistët Granit e Fisnik Rugova dhe Altin Morina, u aksidentuar. Ky aksident ishte fatal për Gazin, i cili vdiq në moshën 27-vjeçare. Ai ishte pjesë e Prishtinës, Bashkimit e Rahovecit në Kosovë, ndërsa si i ri, kishte luajtur edhe për të rinjtë e Fenerbahqes, e gjatë vitit 2018 luajti edhe në Angli.

Prizreni qyteti i basketbollit, Bashkimi fiton titullin në të dy konkurrencat

Viti 2018 solli një befasi të madhe në basketbollin e Kosovës, pasi u ndal dominimi i Prishtinës. Ky vit ishte i ekipit nga Prizreni, Bashkimi që në të dyja konkurrencat u shpall kampion. Basketbollistët e Bashkimit arritën që për herë të parë të shkruajnë historinë e klubit, duke fituar titullin e parë në Kosovë. Prizrenasit pasi kishin dështuar disa herë në finale, përfshirë edhe dy finale gjatë vitit 2018, në Kupën e Kosovës dhe në Ligën Ballkanike, triumfuan në kampionat, kundër Prishtinës.

Bashkimi dominoi edhe te femrat, duke e kthyer titullin e kampionit pas një pritjeje prej shtatë vjetësh.

Kupa e Kosovës, rëndom është ngjarja kryesore e fillim-vitit në basketboll. Gara e Kupës u mbajt në palestrën "13 Qershori" në Suharekë që riktheu edhe publikun në palestra, sidomos për finalet në të dyja konkurrencat. Te meshkujt, Prishtina dhe Bashkimi luajtën në finale, pasi në gjysmëfinale triumfuan ndaj Yllit (78:68), përkatësisht Rahovecit (93:76). Në finale, Prishtina triumfoi me rezultat të ngushtë ndaj Bashkimit (77:74), duke e fituar këtë trofe për herën e 13-të. Ngjashëm si te meshkujt, edhe te femrat Prishtina e fitoi Kupën e Kosovës. Por, përballë vashave të Prishtinës, ishin ato të Penzës që pësuan 79:77 pas vazhdimeve.

Sa i përket Superligës, Trepça dhe Peja u paraqiten me lojtarë tërësisht vendorë.

Peja luajti me juniorë e kadetë për shkak se nuk pati të drejtë të regjistrojë lojtarë të rinj si pasojë e borxhit ndaj FIBA-s. Si Trepça ashtu edhe Peja, mbetën jashtë katërshes së madhe. Peja në xhiron e fundit e siguroi pozitën e gjashtë për t'i ikur ndeshjes së play-outit kurse Trepça doli e pestë. Prej Superligës u largua Kerasan Prishtina që mbeti e fundit në tabelë.

Prishtina e mbylli pjesën e rregullt në vendin e parë, me 27 fitore dhe një humbje, ndërsa pas saj u renditën Bashkimi, Rahoveci dhe Ylli, skuadrat që kompletuan katërshen pjesëmarrëse të plejofit.

Në gjysmëfinale të kësaj gare, Prishtina pati punë me Yllin, derisa Bashkimi u ndesh me Rahovecin. Por, finalistët u caktuan pas vetëm tri ndeshjeve, pasi Prishtina dhe Bashkimin triumfuan 3:0 në serinë gjysmëfinale ndaj kundërshtarëve që i kishin përballë.

Finalja e madhe, Prishtina – Bashkimi

Ndeshja e parë e serisë finale të play-offit nisi në kryeqytet, ku Bashkimi triumfoi me shifrat 84:81 për të marrë përparësinë e terrenit vendas. Ngjashëm si në ndeshjen e parë, Bashkimi edhe në të dytën që e luajti në Prizren, mposhti Prishtinën, por këtë herë me rezultat më bindës (97:80) për ta dërguar në 2:0 serinë e finaleve.

Prishtina ngushtoi këtë seri, duke fituar në ndeshjen e tretë në shtëpi (88:77), gjë që bëri të shtyhet festa e Bashkimit, që ishte një fitore larg historisë dhe titullin mund ta festonte para "Arpagjikëve".

Bashkimi në histori, kampion i Kosovës

Palestra “Sezai Surroi” ishte e stërmbushur si asnjëherë më parë për ndeshjen e pestë të serisë finale. Më në fund tifozët besnikë të skuadrës, Arpagjikët që kishin bojkotuar skuadrën, e mbushën Sezai Surroin, në ndeshjen vendimtare dhe historike për skuadrën. E në parket Basketbollistët vendas nuk dëshpëruan tifozët, duke dominuar Prishtinën për të triumfuar 83:61 dhe për të nisur festën e madhe, që Bashkimit i mungonte që moti. Tërë këtë gëzim dhe histori të prizrenasve, e dokumentoi Kohavisioni, që transmetoi direkt ndeshjen finale dhe të gjitha ndeshjet e portokallezinjve në Prizren.

Edhe te femrat, Bashkimi e festoi titullin e kampionit, por këtë e bëri në Pejë. Në serinë finale, Bashkimi ishte bindshëm më i mirë se Penza, duke e mposhtur në të tri ndeshjet. Me këtë sukses, Bashkimi i dha fund pritjes shtatëvjeçare për titull kampioni.

Bashkimi në konkurrencën e meshkujve krahas titullit të kampionit, shkroi historinë edhe në Ligën Ballkanike. Prizrenasit arritën deri në finale të kësaj gare rajonale, por pësuan nga Levski Lukoil (83:72).

Prishtina dështon në Champions, por bën histori në Europe Cup

Edicioni i ri në basketbollin e Kosovës, nisi me ndryshime të mëdha. Skuadra e Pejës, u përjashtua nga garat, pasi nuk mori licencën për të garuar shkaku i borxheve të mëdha financiare ndaj FIBA-s. Ndërkohë, anëtarë të rinj të Superligës për herë të parë u bë Lipjani, si kampion i Ligës së Parë dhe Ponte Prizreni që në ndeshjen e plejautit ishte më i mirë se Borea.

Sezoni i ri nisi me Superkupën e Kosovës, ku në të dyja konkurrencat u përballen Prishtina dhe Bashkimi. Në të dyja këto ndeshje, Prishtina dominoi ndaj Bashkimit. Te meshkujt triumfoi me rezultatin 88:50 derisa te femrat ndeshja u mbyll 71:68.

Prishtina me shumë përforcime e nisi edicionin e ri, pasi për herën e dytë rresht do të paraqitej në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Kryeqytetasit rikthyen Dardan Berishën, përderisa u përforcuan edhe me vendorët si Altin Morina e Mikaile Tmushiq që ishin më të merituarit për titullin e kampionit te Bashkimi në edicionin paraprak. Krahas tyre, Prishtina angazhoi edhe gjashtë lojtarë të huaj dhe trajnerin gjerman Matthias Zollner, pasi synimi ishte që të kalohej raundi i parë i Ligës së Kampionëve.

Në këtë rund, përballë kishte Donnar Groningenin e Holandës. Ndeshja e parë, u luajt në Prishtinë kurse bardhekaltrit bënë një hap të madh drejt kalimit në raundin e dytë, pasi triumfuan me 20 pikë dallim, 84:64.

Por, kjo epërsi nuk i mjaftoi për shkak se në ndeshjen e kthimit të zhvilluar pas vetëm pak ditësh në Holandë, Prishtina u eliminua për herën e dytë rresht nga Liga e Kampionëve në të njëjtin raund. Duelin në Groningen, Prishtina e humbi me 25 pikë dallim 80:55, ndërsa basketbollistët Berisha e Myles u përleshen pas pjesës së parë, duke i qitur hije të keqe klubit.

Eliminimi nga Championsi solli ndryshime në shtabin teknik të Prishtinës. Pas largimit të Zollnerit, ekipin e mori përzgjedhësi i Kosovës, Damir Mullaomeroviq.

Ndonëse, u eliminua në Champions, Prishtina aventurën evropiane e vazhdoi në FIBA Europe Cup. Në këtë garë, Prishtina e shkroi historinë, pasi në tentimin e katërt arriti të kalojë me sukses fazën e parë të grupeve.

Në fazën e parë, Prishtina luajti në Grupin E dhe për kundërshtarë pati ekipet si Bakken Bears nga Danimarka, Cherkaski nga Ukraina dhe Steaua Bukureshti nga Rumania. Me katër fitore e dy humbje, Prishtina përfundoi e dyta pas Bakken Bears për të kaluar fazën e parë të grupeve.

Kësisoj kryeqytetasit bëhen ekipi i parë kosovar që siguron kualifikimin në fazën e dytë të grupeve në FIBA Europe Cup. Në këtë fazë, Prishtina është pjesë e Grupit I së bashku me SAN OLIVER WYRCBURG (Gjermani), SHOLNOKI OLAJ (Hungari) dhe PINAR KARSHIJAKA (Turqi).

Ndeshjen e parë të fazës së dytë, Prishtina e humbi në udhëtim nga ekipi gjerman 95:77, por këtë e përmirësoi me fitore në shtëpi. Në ndeshjen e dytë, Prishtina mposhti ekipin hungarez Szolnoki (81:76) për ta mbyllur këtë vit me fitore në garat evropiane.

Prishtina pa rivalë e konkurrencë në sezonin 2018/2019

Përveç ecurisë pozitive në FIBA Europe Cup, Prishtina ishte e pakonkurrencë në edicion vjeshtor të Superligës së Kosovës. E mbylli në pozitën e parë me 26 pikë dhe si ekipi i vetëm pa humbje. Pas Prishtinës, vijnë Ylli dhe Rahoveci që dimërojnë në pozitat dy dhe tre. Top katërshen e Superligës e mbyll Trepça që rikthehet si e katërta pas një kohe të gjatë, ndërsa kampioni në fuqi Bashkimi nuk është as hija e ekipit që ishte në edicionin e shkuar.