Sport

Zbulimet e stinorit vjeshtor në Superligë

Pas çdo kampionati të futbollit, dalin në sipërfaqe emra të rinj të lojtarëve, të cilëve u jepet rasti të tregojnë talentin që kanë.

I tillë ishte edhe stinori vjeshtor i sezonit 2018/2019, ku disa lojtarë, pavarësisht moshës së re, arritën që të jenë vendimtarë për ekipet e tyre.

Sporti në KTV ka përzgjedhur disa nga lojtarët, të cilët u dalluan në pjesën e parë të kampionatit.

Pa dyshim, Festim Alidema i Llapit, ishte sensacioni i kampionatit.

Sulmuesi nga Pozherani, arriti t’i shënonte 8 gola për Llapin, duke qenë shënuesi më i mirë i llapjanëve dhe i dyti i ligës, pas Alban Shillovës, që ka vetëm 1 gol më shumë.

21-vjeçari ishte i vetmi lojtar që shënoi tre gola brenda një ndeshjeje, në vjeshtë.

Zbulim i vjeshtës është edhe portieri i Feronikelit, Florian Smakiqi.

20-vjeçari e zuri vendin e titullarit te skuadra nga Drenasi dhe ishte i plotë në të gjitha ndeshjet.

Smakiqi pranoi vetëm 9 gola në 17 ndeshje, duke pasur formën e dytë më të mirë në ligë pas Visar Bekajt të Prishtinës.

Paraqitjet fantastike me “Niklin” e detyruan përzgjedhësin e Kosovës U21, Rafet Prekazin që ta fitojë Smakiqin në Kombëtare.

Kur jemi te portierët perspektivë, është edhe Flamur Gashi i Lirisë. Edhe pse jo në të gjitha ndeshjet, 18-vjeçari arriti të tregonte formë shumë të mirë në takimet që ishte në portën e prizrenasve.

Intervenimet dhe paraqitjet e mira të Gashit, ndikuan që të ftohet edhe nga Kosova U19, ku luajti edhe në kualifikimet e Kampionatit Evropian.

Formë shumë të mirë, pati edhe Blend Baftiu i Ballkanit. Mesfushori nga Prishtina përveç që shkëlqeu, duke qenë ndër më të mirët në pozitën e tij, ai i shënoi edhe 3 gola për ta ndihmuar ekipin nga Suhareka.

Te Ballkani, u dallua edhe sulmuesi, Jetmir Topalli. 21-vjeçari realizoi 3 gola dhe për herë të parë u ftua nga Kosova U21, pas formës së mirë që pati me suharekasit.

Arbër Mustafa është njëri prej lojtarëve të rrallë që nga juniorët, ishte titullar në shumë ndeshje për ekipin e Gjilanit.

Pavarësisht që nuk arriti të shënonte asnjë gol, Mustafa kreu shumë punë në mesfushë në rolin e tij prej mesfushori defanziv.

Të dalluar pati edhe te KEK-u, skuadër e cila përbëhet kryesisht me lojtarë të rinj.

20 vjeçarët, Rilind Nimani dhe Vigan Veliu, patën një stinor mjaft të mirë. Nimani shënoi 3 gola, kurse Veliu realizoi 2 herë.

Futbollin e Kosovës e pret një e ardhme e ndritur me këto talente, prej të cilëve shkëlqimi më i madh i tyre, pritet në pranverë.