Sport

Xhiroja e 18-të pa derbi në Angli

Foto: Ilustrim

Në Angli këtë fundjavë nuk do të ketë ndeshje që mund të vlerësohen si derbi.

Java e 18-të e Premier Ligës nis me ndeshjen e sotme ndërmjet Wolvesit e Liverpoolit, që zhvillohet nga ora 21:00.

Kampioni në fuqi Manchester City do të ketë punë me Crystal Palacein, skuadër ndaj së cilës është i pamposhtur në tetë ndeshje dhe i ka fituar shtatë prej tyre, derisa barazimi erdhi vitin e kaluar kur si mysafir barazonte pa gola, transmeton KTV. 

City ka treguar fuqi të madhe sivjet në shtëpi nën drejtimin e Pep Guardiolës, pasi është i pamposhtur në 13 ballafaqimet e zhvilluara në të gjitha garat, duke i fituar 10 prej tyre.

Kevin De Bruyne dhe Sergio Aguero pritet të jenë të gatshëm për këtë fundjavë, pasi dyshja luajti edhe në Carabao Cup të mërkurën. Megjithatë, Guardiolës do t’i mungojnë David Silva, Vincent Kompany dhe Benjamin Mendy. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën në orën 16:00.

Chelsea i vendit të katërt do të jetë nikoqir i ish-kampionit, Leicester Cityt, të shtunën në orën 16:00. Në po të njëjtin orar luan edhe Arsenali që në shtëpi e pret Burnleyn.

Ndërkohë, Manchester United i shkon Cardiff Cityt, dhe këndelljen do ta kërkojë në ora 18:30, nën drejtimin e trajnerit të ri, Solskjaer.

Tottenhami e mbyll javën e 18-të në Premier League të hënën, pasi udhëton te Evertoni, dhe do të luajë në orën 17:00 .