Sport

Kampioni mbështetet në lojtarin më efikas të ligës

Plot 41 pikë ka realizuar amerikani Jordan Capps në fitoren e Bashkimit ndaj Boreas (116:61), të enjten. Caps 23-vjeçar erdhi pa bujë, por është shndërruar në lider të kampionit në fuqi të Kosovës në basketboll, Bashkimit, shkruan sot Koha Ditore.

Bashkimi po vuan për stabilitet këtë edicion, rezultatet nuk i ka ato që priteshin dhe për këtë shifrat e Capssit kanë mbetur në hije. Me 28,6 pikë për ndeshje, Capps është koshashënuesi më i mirë në Superligën e Kosovës, ndërsa me 22,5 pikë është realizatori i dytë më i mirë në Ligën Ballkanike. Capps për herë të parë po luan në Evropë dhe shpreson që me Bashkimin të arrijë suksese.

Aftësitë e tij për të shënuar pikë do të sfidohen edhe një herë të dielën, kur Bashkimi luan në udhëtim ndaj Trepçës në Mitrovicë, në derbin e xhiros së 14-të të Superligës në basketboll. Është kjo xhiroja e fundit e stinorit vjeshtor.

Bashkimi aktualisht është i katërti me 20 pikë, ndërsa Trepça e pesta me 19 pikë. Natyrisht synim i të dy skuadrave është zona që siguron plejofin dhe te Bashkimi mbështeten shumë në basketbollistin amerikan në tentim për të mbetur në vend të katërt apo ngritje në pozitë më të lartë. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).