Basketbollisti i Prishtinës, Dardan Berisha, ka komentuar përplasjen fizike që kishte pasur me bashkëlojtarin Divine Myles më 22 shtator në kuadër të Ligës së Kampionëve, në përballjen me Donar Groningenin.
Dy lojtarët ishin përplasur në mes të pjesëve, në ndeshjen që e eliminoi Prishtinën edhe pse kishte pasur epërsi prej 20 pikëve nga ndeshja e parë.
“Ndoshta më së paku ai ka pas faj. Tash jemi shumë mirë, por është problem që s’janë ditur rolet. Ai është më i riu aty e unë jam më i vjetri pas Edmond Azemit. Kur i kam thënë diçka as që e ka ditur kush jam dhe mënyrën që ma ka kthyer ndoshta nuk ishte më e mira. Edhe unë isha pak më gjaknxehtë, por pas lojës ia kemi zgjat dorën njëri-tjetrit dhe kemi kontakte shumë të mira tash”, ka thënë ai në një intervistë për Sportin Total në KTV.
Berisha po ashtu ka folur për ligën e Kosovës dhe për të ardhmen e tij. Ka thënë se në Kosovë ka pasur rënie të ligës për shkak të mungesës së rivalitetit. “Rivaliteti i mungon ligës. Mungesa e Pejës, Trepçës por edhe e Bashkimit sivjet që e bënin rivalitetin me Prishtinën”, ka shtuar ai.
Sa i përket të ardhmes, Berisha ka thënë se do të jetë me Prishtinën deri në një afat të pacaktuar, por që gjithçka varet nga suksesi në FIBA Europe Cup.
Ka thënë se ka marrë oferta të mira nga Evropa, por se është shprehur që në Kosovë e lidhin edhe gjëra të tjera.