Sport

13 raste me COVID-19 te lojtarët e Belenensesit janë me variantin Omicron

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë "Ricardo Jorge" (INSA) i Portugalisë konfirmoi sot për EFE zbulimin e 13 rasteve me variantin Omicron te lojtarët e Belenenses që rezultuan pozitivë me COVID-19. Futbollisti afrikano-jugor, Cafu Phete, i cili i përket kësaj skuadre, u kthye në Portugali të dielën e kaluar, më 22 nëntor, pasi kishte luajtur dy ndeshje me kombëtaren.

Mirëpo, në mënyrë që të ketë prova shkencore në tërësi, në orët në vijim do të bëhet “sekuencë” të mostrave për t’u garantuar qind për qind që janë me këtë variant shqetësues, sqarojnë për EFE burime nga INSA. Si masë shëndetësore, të gjithë lojtarët janë të izoluar në karantinë dhe të gjithë personat që kanë pasur kontakte me ta.

Në orët e fundit, në skuadrën e Belenensesit janë zbuluar gjithsej 17 raste pozitive: 13 lojtarë, trajneri dhe ndihmësi i tij dhe dy anëtarë të tjerë të stafit stërvitor. Pavarësisht shpërthimit të koronavirusit, ndeshja e Ligës që ishte caktuar për të shtunën mbrëma kundër Benficas u luajt, pasi as Liga dhe as autoritetet shëndetësore nuk e pezulluan atë.

Për shkak të numrit të madh të rasteve me COVID-19, skuadra doli në fushë me vetëm 9 lojtarë dhe pas pushimit, kur Benfica tashmë po fitonte 0-7, ndeshja u ndërpre, pasi Belenenses kishte vetëm 6 lojtarë në fushë, për shkak të dëmtimit të tre futbollistëve.

Kjo ndeshje futbolli ka krijuar një polemikë të madhe në Portugali, ndaj Liga planifikon të zhvillojë sot takime me subjekte të ndryshme për të sqaruar se çfarë ka ndodhur.