Sport

Hendboll, Besa mposht thellë Samadrexhën

Kampionia aktuale e Kosovës në hendboll, Besa Famgas, është kthyer te fitorja pasi në mesjavë u ndal nga Prishtina. Besa të shtunën në Pejë fitoi thellë ndaj Samadrexhës me shifrat 45:14. Kjo ndeshje i takoi javës së nëntë të Superligës së Kosovës në hendboll.

Besa prin me 16 pikë, dy më tepër se Kastrioti e Prishtina që kanë një ndeshje më pak të luajtur. Të shtunën u luajtën edhe tri ndeshje tjera.

Drita e Gjilanit fitoi ndaj Vëllaznimit në Gjakovë me shifrat 27:22, Zhegra e Drenica barazuan me rezultatin 37:37, kurse Vushtrria e mposhti Trepçën me rezultatin 28:22. Derbi i xhiros në mes të Kastriotit e Prishtinës do të luhet në mesjavë për shkak se ferizajasit të dielën kishin ndeshje evropiane, shkruan Koha Ditore.

Edhe te hendbollistet janë shtyrë dy ndeshje për në mesjavë për shkak të sfidës evropiane të Istogut. Istogu do të luajë në udhëtim me Samadrexhën, ndërsa në derbi Shqiponja e pret Vushtrrinë. Kjo ndeshje është shtyrë pasi dy lojtare të Vushtrrisë ndihmuan Istogun.

Në fundjavë janë luajtur tri ndeshje të javës së tetë të Superligës së hendbollisteve. Të dielën Prishtina fitoi ndaj Dritës me shifrat 37:24. Të shtunën ishin ndeshjet Vëllaznimi - Kastrioti e Vjosa - Jusuf Gërvalla. Fitore shënuan Kastrioti me rezultatin 48:14 dhe Jusuf Gërvalla me 23:14.