Sport

E arta e Lorianës konfirmon dominimin e plotë të Kosovës

Për dallim nga tri xhudistet e tjera, Loriana Kuka nuk llogaritej në mesin e pretendenteve për medalje. Por Loriana të dielën konfirmoi paraqitjen impresive të Kosovës në turneun Grand Prix që u mbajt në Tashkent të Uzbekistanit.

21-vjeçarja fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 78 kilogramë, ndërsa Kosova përfundoi si vendi më i suksesshëm në garën ku morën pjesë 347 xhudistë nga 47 shtete. Kosova mori pjesë me katër xhudiste në Grand Prix në Tashkent, ndërsa të gjitha u paraqitën në finale, shkruan sot “Koha Ditore”.

Tri prej tyre u shpallën kampione, ndërsa Nora Gjakova fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri 57 kilogramë. Në ditën e parë të garave, të premten, medalje të arta fituan Distria Krasniqi në kategorinë deri 48 kilogramë dhe Majlinda Kelmendi në kategorinë deri 52 kilogramë.

Loriana ende nuk është në nivelin e Majlindës, Norës e Distrisë, por po iu afrohet atyre. Suksesi i së dielës e dëshmon këtë. Ajo nuk ishte bartëse në kategorinë deri 78 kilogramë, por e dominoi atë. Nisi me fitore ndaj kazakes Zarina Raifova./Arsim Maxhera

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)