Sport

Sadiku pritet të refuzojë ftesën e Shqipërisë

Descriptive Text

Mbrojtësi i skuadrës turke Kashimpasha, Loret Sadiku, ka marrë ftesë nga seleksionuesi i Shqipërisë, Christian Panucci. 

Sadiku është përfshirë në listën e italianit për ndeshjet e nëntorit kundër Skocisë dhe Uellsit, shkruan sot Koha Ditore.

Por kosovari që insiston të luajë për Kosovën, nuk do t’i bashkohet në grumbullim Shqipërisë. Kështu kanë bërë të ditur dy burime të gazetës të afërta me lojtarin. 

Gazeta ka mësuar se Sadiku është i vendosur ta çojë deri në fund procesin për ta marrë lejen nga FIFA që të përfaqësojë Kosovën. FIFA po refuzon të lejojë atë të luajë për Kosovën me arsyetimin se ka djegur mundësinë e ndërrimit të përfaqësueses kur nga Suedia ka kaluar te Shqipëria. Sipas rregullave të FIFA-s, lejohet vetëm një herë ndërrimi i përfaqësueses dhe kërkesa e Sadikut për të luajtur me Shqipërinë, nga FIFA shihet si ndërrim i përfaqësueses, ndonëse me të nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje. 

Thjesht vetëm ka kërkuar të luajë për Shqipërinë. “Loreti ka marrë ftesën e Panuccit, por nuk do të grumbullohet me Shqipërinë. Loreti dëshiron të luajë vetëm për Kosovën. Është dëshira e tij të luajë vetëm për Kosovën. Federata e Kosovës është duke punuar me FIFA-n që ai ta fitojë të drejtën të luajë me Kosovën. Kemi informatë që Federata do ta bëjë edhe një kërkesë tjetër që ta marrë lejen nga FIFA, meqë Sadiku nuk ka luajtur asnjë ndeshje për Shqipërinë”, ka thënë një familjar i Sadikut në kushte anonimiteti. 

Në fakt, Sadiku ka shprehur në vazhdimësi dëshirën të luajë për Kosovën. Ai ka luajtur disa ndeshje me të para se të pranohej nga UEFA e FIFA. Pas pranimit, FIFA ia ndaloi të luante me Kosovën. Sadiku në vazhdimësi ka akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit se ia ka falsifikuar nënshkrimin dhe se po ia bllokon dokumentacionin që i duhet për ta dorëzuar në FIFA.