Sport

Zbulohen prapaskenat e transferimit befasues të Ronaldos nga Barça tek Interi

Descriptive Text

Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Gaspart, ka bërë të ditur se Ronaldo donte qëndrimin te Barça më shumë sesa kalimin tek Interi, por ky transferim i “Fenomenit” ndodhi derisa zyrtarët e klubit spanjoll po festonin vazhdimin e kontratës me të.

Legjenda braziliane llogaritet si njëri prej lojtarëve më të mirë që luajti në Camp Nou, edhe pse qëndroi veç një sezon me klubin spanjoll.

Në sezonin 1996-97, Ronaldo realizoi 47 gola në 49 paraqitje në të gjitha garat, duke u bërë lojtari favorit i fansave që prej transferimit të tij nga PSV-ja në vitin 1996.

Një vit shkoi shpejt dhe bordi i Barcelonës donte vazhdimin e kontratës me Ronaldon, por në skenë doli Interi që me një ofertë prej 27 milionë dollarëve e transferoi atë në San Siro, transmeton Koha.net.

Presidenti i atëhershëm i Barçës ka thënë se lajmi i transferimit i befasoi të gjithë.

“Ronaldo donte qëndrimin te Barça. Ishte i lumtur aty dhe dëshira e tij ishte vazhdimi i kontratës”, ka thënë Gaspart për Goal.com.

“E patëm shkruar kontratën në sy të lojtarit dhe dy agjentëve të tij. Ishte ora tre pasdite dhe ne vendosëm të drekonim për të festuar vazhdimin e kontratës me Ronaldon dhe pastaj të ktheheshim në zyrë për ta nënshkruar marrëveshjen që kishim arritur”, ka treguar ish-presidenti i Barçës.

Derisa Gasparti dhe kolegët e tij po festonin për arritjen e marrëveshjes me Ronaldon, agjentët e yllit brazilian në fshehtësi përgatitën largimin e tij nga Barcelona.

“Madje festuam me shampanjë për këtë marrëveshje”, ka kujtuar Gaspart.

“Ishte gabim sepse po të mos shkonim të drekonim dhe ta nënshkruanim marrëveshjen, Ronaldo do të kishte qëndruar te Barcelona”, ka treguar ai.

Gjatë takimit për vazhdimin e kontratës me Ronaldon, Gasparti ka kujtuar se “njëri prej agjentëve të tij doli jashtë zyrës dhe foli gjysmë ore me telefon”, që ndodhi të ishte presidenti i Interit, Massimo Moratti.

“Atë kohë nuk i kushtuam vëmendje mungesës së agjentit. Kur u kthye na kërkoi falje, mori një kafe dhe ngrehu dolli për kontratën”, ka thënë Gaspart.

“Nga momenti kur shkuam në zyrën e presidentit [Josep] Nunez, agjentët filluan të ankoheshin. I thanë Ronaldos që të shkonte në shtëpi dhe do ta telefononin për ta nënshkruar kontratën. I pyeta përse nuk donin ta nënshkruanin menjëherë”, ka treguar ai.

“Ata insistuan në vazhdimin e kontratës, por donin ta kthenin kontratën në fillim, duke rritur kushtet financiare. Po tentonin t’i prishnin bisedimet”.

Kur Barça u pajtua për të rinisur bisedimet, u bë e qartë se agjentët tashmë ia kishin mësyrë transferimin në San Siro.

“Kur u pajtuam për bisedimin e pesë pikave që kërkuan, ata dolën me pikën e gjashtë dhe të shtatë”, ka pohuar Gaspart.

“Me lot [Ronaldo] më tha se i vinte keq, por agjentët e tij kishin ofertë më të mirë se tonën dhe ishte më mirë për gjitha palët që ai të shkonte te një klub tjetër për të bërë më shumë para”, ka treguar ish-presidenti i Barçës.

Ditën tjetër Interi pagoi 24 milionë euro në llogaritë e La Ligas për klauzolën e Ronaldos që u bë lojtari i dytë pas Diego Maradonës që theu rekordin e transferimeve dy herë.

Barcelona, sidoqoftë, nuk u pajtua që Ronaldo të largohej pa luftuar për të.

“Nuk u pajtuam me transferimin dhe shkova në FIFA për t’u ankuar kundër Interit’, ka thënë ai.

“Personalisht i thash Morattit se kjo nuk ishte drejtë pasi e dinte se po bisedonim dhe kishim mbyllur marrëveshjen. Ai gjithmonë e ka mohuar këtë, por kjo është gënjeshtër”.

“Kurdo që e takoj ia kujtoj se Ronaldo nuk donte të shkonte tek Interi, por agjentët e tij e bindën shkaku i parave”, ka thënë veç të tjerash Gaspart.