Sport

Vendimi i Liverpoolit për Shaqirin nxit reagime të shumta te tifozët

Vendimi i Liverpoolit që të mos e ftojë Xherdan Shaqirin në ndeshjen ndaj Cërvena Zvezdës në Ligën e Kampionëve, për shkak të frikës për sigurinë e lojtarit, ka nxitur reagime të shumta te tifozët e klubit.

Sot klubi anglez njoftoi se Shaqiri nuk është pjesë e ekipit që do të udhëtojë drejt Beogradit për ndeshjen e së martës me arsyetimin se dëshiron të shmangë ndonjë ekses të mundshëm.

Kloppi shpjegon vendimin për Shaqirin

Ndjekës të shumtë të këtij klubi në rrjete sociale kanë komentuar vendimin duke e cilësuar racist e të padrejtë, ndërsa një numër i konsiderueshëm i tyre e konsideronin të duhur vendimin.

“Pra ajo që po themi është se UEFA do t’i lejojë fansat racistë të Zvezdës të diktojnë përzgjedhjen e skuadrës sonë?”, ishte një prej komenteve që kishte nxitur më së shumti reagim në faqen e Liverpoolit në Facebook.

Pati të tjerë që thanë se “nëse lojtarët s’janë të sigurt atëherë s’duhet të luhet fare në ato vende”.

“E ndjeshme, por e gabueshme”, ishin komentet tjera.

Në mesin e shumë komentuesve pati edhe shqiptarë e serbë që edhe në këto postime patën përplasje mes vete.