Sport

Shaqiri mezi pret të luajë në Beograd

Ylli shqiptar i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, mezi pret të luajë në Beograd muajin e ardhshëm në vizitën e parë në Serbi që kur festoi me shqiponjë në Botëror.

Reprezentuesi i Zvicrës ishte gjobitur me 10 mijë franga nga FIFA për “sjellje josportive” pasi kishte festuar me shqiponjën dykrenore ndaj Serbisë në momentin e golit të fitores në fund të takimit. Kështu shkruan prestigjiozja “The Guardian” në një artikull të së enjtes për yllin kosovar. “Shaqiri ishte i lindur në qytetin e Kosovës, Gjilan, dhe barti flamurin e Kosovës në këpucët e ndeshjes së Grupit E, duke nxitur reagim të Federatës së Futbollit të Serbisë”, thuhet më tej në këtë artikull.

Transferimi i kësaj vere i Liverpoolit do të udhëtojë drejt Serbisë për përballjen me Cërvena Zvezdën në Beograd në Ligën e Kampionëve.

Drejtori sportiv i klubit serb, Zvezdan Terziq, kishte thënë se 27-vjeçari duhet të mos udhëtojë për shkak se nuk mund të garantohet siguria.

Ndërsa tani ish-ylli i Stoket është përgjigjur duke thënë se s’ka pse të mungojë në ndeshjen e 6 nëntorit në stadiumin “Rajko Mitiq”.

“E kam pasur këtë në Botëror dhe di ta menaxhoj pa problem. S’ka shqetësim. Kam parë disa artikuj ku një futbollist ka thënë diçka. Në të vërtetë nuk merakosem se çfarë thonë njerëzit. Shkoj të luaj një ndeshje futbolli. Nuk është politikë, është futboll. Nuk brengosem dhe shkoj të luaj”, ka thënë Shaqiri.

Ai shkëlqeu në takimin e parë mes dy skuadrave, të mërkurën në Anfield duke asistuar në golin e dytë e duke kontribuar shumë në të parin, në fitoren 4 me 0.