Sport

Legjenda e Liverpoolit krahason Shaqirin me Coutinhon

Xherdan Shaqiri është i aftë për të mbuluar zbrazëtirën e lënë te Liverpooli nga largimi i Philippe Coutinhos, thotë legjenda e Liverpoolit Neil Mellor.

Liverpooli ishte detyruar ta shesë Coutinhon në afatin kalimtar të janarit te Barcelona, dhe që nga atëherë nuk ka transferuar një lojtar që posedon kreativitetin e brazilianit në mesfushë, transmeton Koha.net.

Me pjesët e tjera më të nevojshme për t’u përforcuar Jurgen Klopp nuk ka transferuar një zëvendësues të drejtpërdrejtë të Coutinhos. Megjithatë, ai transferoi Shaqirin nga Stoke City në verë, i cili në ndeshjet e fundit ka bërë paraqitje fantastike duke treguar kreativitetin e tij.

“Vërtet më pëlqen Shaqiri. Ai ka atë aftësi kreative në pjesën e sulmit për të shpartalluar mbrojtjet kundërshtare. Në fundjavë ndaj Huddersfieldit bëri një asist, e në pjesën e dytë pati një pasim të bukur. Dhe që prej largimit të Coutinhos Liverpooli s’ka pasur një lojtar me kreativitet të tillë në treshen e mesfushës”, shprehet ish-sulmuesi i Liverpoolit për Love Sport Radio.

Ai më tutje ka shtuar se, “e dimë se treshja sulmuese do të shënojnë shumë gola. Por, nëse keni dikë me kreativitet dhe ndikim të tillë prapa, ai mund të bëjë diferencë të madhe. Lallana ishte ai lojtar por fatkeqësisht lëndimet e kanë limituar. Prandaj Shaqiri mund të bëjë diferencë të madhe kur ekipet mbyllen dhe thonë ‘hajde na thyeni’. Dikush si Shaqiri mund të jetë përgjigja në ndeshje të tilla të mbyllura”.

Miellor gjithashtu ka lavdëruar paraqitjet e Salahut dhe rikthimin e golave.