Sport

Mullaomeroviq kërkon fitoren e Prishtinës në Rumani

Trajneri i Z Mobile Prishtinës, Damir Mullaomeroviq pret që ekipi i tij të regjistroj fitoren e dytë rresht në kuadër të FIBA Europe Cup.

Prishtina, sot prej orës 18:00 luan në udhëtim kundër Steaua Bukureshtit në ndeshjen e xhiros së dytë të Grupit E. Në xhiron e parë, të zhvilluar javën e shkuar, Prishtina në shtëpi ka mposhtur kampionin e Ukrainës, Cherkaski Mavpy. Ndërsa, Steaua e ka nisur me humbje, pasi pësoi në udhëtim nga Bakken Bears e Danimarkës.

Mullaomeroviq sot për "Kohën Ditore" ka thënë se beson që Prishtina do të kthehet me fitore nga kjo ndeshje.

"Sigurisht që mund të fitojmë dhe do të japim gjithçka nga vetja për të arritur këtë. Luajmë kundër një ekipi të fortë, por na duhet fitorja për të rritur gjasat që të kalojmë grupin. Do të japim maksimumin për këtë", është shprehur Mullaomeroviq.

Për Prishtinën ky është edicioni i katërt rresht në FIBA Europe Cup. Këtë edicion, bardhekaltrit po e kërkojnë kalimin e fazës së parë të grupeve, gjë që nuk e kanë arritur në tri edicionet e mëparshme.

Në fazën tjetër të FIBA Europe Cup, kalojnë dy ekipet e para të grupit.