Sport

Suedia refuzohet për Sadikun

Federata e Futbollit e Suedisë ka marrë përgjigje negative nga FIFA për mundësinë që Loret Sadiku të luajë sërish për Suedinë.

Menaxheri i përfaqësueses suedeze, Stefan Pettersson, ka theksuar se FIFA i ka kthyer përgjigje negative Federatës, me arsyetimin se Sadiku ka bërë kërkesë një herë për ndryshim të përfaqësueses.

Sadiku ishte larguar nga ekipi shpresa (U-21) i Suedisë për t'u paraqitur për ekipin A të Shqipërisë. Por për Shqipërinë nuk u paraqit asnjë ndeshje, transmeton Koha Ditore.

Ai luajti disa ndeshje miqësore për Kosovën, por nuk u lejua nga FIFA të paraqitet për Kosovën në ndeshje kualifikuese të kampionatit botëror "Rusia 2018". Sadikut i mbetet opsion i vetëm Shqipëria, nëse FIFA nuk ndërron qëndrim.

"Ai nuk mund të luajë për Suedinë. Ai ka ndryshuar një herë përfaqësuese dhe nuk mund të ndryshojë sërish. Ky është mesazhi që kemi marrë nga FIFA. E dinim se mund të ishte kështu, por deshëm ta konfirmojmë 100 për qind. Kemi pyetur për Sadikun për të ditur situatën si është dhe nëse ne do të kishim nevojë për ta përcjellë atë. Thjesht vetëm kaq, asgjë më shumë", ka thënë Pettersson për "footballskanalen.se".

Sadiku 27-vjeçar është pjesë e skuadrës turke Kashimpasha. Ai për U-21 të Suedisë ka luajtur tri ndeshje.