SOT

Vullnetarët, 1 vit në ndihmë të qytetarëve

Dijon Musliu bashkë me kolegë të tij nga Fakulteti i Mjekësisë, në mars të këtij viti, iu bashkuan grupit të vullnetarëve në qendrën e thirrjeve, për të informuar për koronavirusin, që tashmë e kishte përfshirë edhe Kosovën.

“Qendra e thirrjeve ka fillu të funsionojë që prej datës 21 mars 2020, në bazë të vullnetarëve që paraprakisht ishin lajmëruar në Ministrinë e shëndetësisë.”

Me përhapjen e pandemisë u ndryshua edhe rrjedha e punës, e krejt kjo ishte e re edhe për ta.

“Qëllimi i qendrës së thirrjeve ka qenë fillimisht triazhimi i qytetarëve, përkatësisht pacientëve, në fillim i kemi njoftuar në përgjithësi për simptomat e COVID-19, pastaj i kemi njoftuar se ku duhet të drejtohen.”

“Një ditë pune në qendrën e thirrjeve nuk është e ngjashme me ditën paraprake sepse krejt kjo varet prej kërkesave dhe ankesave që qytetarët i drejtojnë në numrin e qendrës së thirrjeve.”

Të shtyrë nga vullneti ata po e vazhdojnë këtë punë tash e 10 muaj.

“Ka filluar me u paraqitë edhe lodhja tek secili prej nesh, edhe angazhimet e tjera, mirëpo ne jemi të vendosur ta vazhdojmë angazhimin e ti ndihmojmë qytetarët.”

Përveç me anë të telefonatave, vullnetarët pranojnë kërkesa për ndihmë edhe në mënyrë elektronike.

“Shërbimet e qendrës së thirrjeve qytetarët mund ti marrin përmes numrit të telefonit ose edhe përmes email adresës.”

Thonë se puna e tyre nuk shkoi pa u vërejtur edhe nga të tjerët që i ndihmuan në mënyra të ndryshme.

“Kemi pas donator e ndihma që na kanë ndihmuar mjaft shumë, në fillim na është siguru ushqimi prej zotëri Ramiz Tafilaj.”

Ministri i Shëndetësisë thotë se i njeh nga afër vullnetarët dhe punën që ata e bëjnë. E, sipas tij, ajo e luan një rol vital në luftën kundër COVID-19. Shumica nga ta nuk paguhen.

“Vullnetarët e kanë mbajtur një pjesë shumë të rëndësishmë, jo vetëm të asaj që quhet përgjegjësi, por edhe të punës.”

Frikë për infektim e shqetësime edhe që nuk lidhen me pandeminë u dëgjuan shpesh në repertorin e telefonit.

“Njëra që më ka bërër më shumë ka qenë një thirrje nga një grua që kishte blerë lojra që janë prodhuar në Kinë dhe e ka shprehur shqetësimin se a janë të rrezikshme ato.”

Të gatshëm për të ofruar ndihmë çdo ditë, në vikende e festa, ata e vazhdojnë punën e tyre krejt në baza vullnetare, duke pritur që gjendja me pandeminë të përfundojë.