Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Stafi i vaksinimit ankohet për ngarkesë pas shtimit të së dielës si ditë pune

Me shtimin e së dielës si ditë pune, punonjësit brenda qendrave të vaksinimit, nuk do ta kenë asnjë ditë pushimi. Kjo ka nxitur paksa reagime. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë, ka thënë se ky angazhim do të vazhdojë, pasi që gjendja është emergjente, kurse të angazhuarit do të kompensohen sipas ligjit

E diela që shkoi, pas shumë kohësh, nuk dalloi prej ditëve të tjera sa i përket vaksinimit. Dyert e qendrave kudo në Kosovë, ishin të hapura.

Vendimi është marrë ditë më parë për të shtuar kapacitetet e vaksinimit dhe për të plotësuar kërkesat e qytetarëve për imunizim.
E me shtimin e së dielës si ditë pune, punonjësit brenda qendrave të vaksinimit, nuk do ta kenë asnjë ditë pushim. Kjo ka nxitur paksa reagime.

Dion Musliu, specializant në Klinikën e Ortopedisë dhe njëkohësisht pjesë e stafit të vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ka thënë se kjo do të paraqesë ngarkesë e madhe për ta, dhe se është e drejtë bazike që të kenë të paktën një ditë pushimi.

“Ne jemi duke punuar sipas vendimit të fundit, çdo ditë, pa asnjë ditë të lirë. Ne besojmë se kjo nuk është në rregull, për shkak se është ngarkesë tepër e madhe për të gjithë punëtorët shëndetësorë të punojnë çdo ditë pa asnjë ditë të lirë. Pa marrë parasysh pjesën e kompensimit të ditëve të vikendeve, ne besojmë se na takon edhe dita e lirë pasuese pas vikendeve”, ka deklaruar Musliu.

Ai ka shtuar, se si staf nuk e kanë qëllimin ta pengojnë procesin e imunizimit, por siç thotë ai, vetëm po kërkojnë të drejtat e tyre.

“Është shumë e vështirë të punosh duke e marrë parasysh që edhe pauza jonë është vetëm 15 minuta përkundër asaj që ne punojmë 6 orë e gjysmë. Sipas ligjit të punës, nëse punon mbi 6 orë të takon pauza gjysmë ore. Normalisht që ne si staf shëndetësor e dimë më së miri rëndësinë e imunizimit, prandaj nuk duam që të bëjmë probleme, nuk jemi të interesuar. Kërkojmë dhe u bëjmë thirrje gjithë qytetarëve që të vijnë sa më tepër të vaksinohen”, ka thënë Musliu.
Në një përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë, është thënë se ky angazhim do të vazhdojë, pasi që gjendja është emergjente, kurse të angazhuarit do të kompensohen sipas ligjit.

“Çdo kush që angazhohet mbi 40 orë punë në javë, sidomos për vaksinim te dielave, do të kompensohet ne përputhje me Ligjin e punës. Ky angazhim ka të bëjë me një kohë të caktuar, derisa të arrihet përmbushja e planit te vaksinimit. Ju rikujtojmë se më 15 mars 2020 është shpallur nga Qeveria e vendit gjendje e emergjencës së shëndetit publik për shkak të COVID-19, e cila nuk është shfuqizuar ende”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
MSH-ja ka theksuar se ditëve në vijim do të rekrutohen mbi 400 mjekë e infermierë.

“Ekipet e vaksinimit janë shtuar nga 98 sa kanë qenë në fillim në 314 tani. Plus janë edhe 57 ekipe mobile. Javën që shkoi ka pasur rekrutime të reja brenda institucioneve shëndetësore për ballafaqim me COVID-19 dhe ditëve që vijnë do të rekrutohen edhe 422 (mjekë dhe infermierë) për Kujdesin Parësor dhe një pjesë e tyre mund të ndihmojnë edhe në vaksinim. Janë angazhuar edhe specializantë, te cilët i kanë nga 2 muaj angazhim që të ndihmojnë në procesin e vaksinimit”, thuhet tutje në përgjigjen e MSH-së.

Ndërkohë, ata që u paraqitën në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, e kanë përkrahur vendimin e Qeverisë që të punohet edhe të dielave.
Elfete Maqastena nga Prishtina, ka thënë se ditët e vikendit janë më të përshtatshme për t’u imunizuar sesa ditët e tjera të javës.

“Normal që është më mirë se njerëzit punojnë gjatë tërë javës, kështu vikendi është shumë i përshtatshëm në të gjitha aspektet. Kjo është dashur të bëhet më herët, por edhe tash është shumë mirë”, është shprehur Maqastena.
E Milaim Haradini, punëtor në Korporatën Energjetike të Kosovës, ka thënë se atij dhe të tjerëve u është bërë obliguese marrja e vaksinës. Ndryshe nga e hëna, nuk lejohen të hyjnë në ambientet e punës.

“Jemi të obliguar t’i marrim vaksinat. Çdo gjë ka shkuar në rregull deri tash. Na ka obliguar kompania ta marrim vaksinën dhe tash jemi këtu. Po presim 15 minuta, pas marrjes së vaksinës dhe po ecim”, u shpreh Haradini.

Hafete Bllacaku, qytetare e Prishtinës, ka hedhur kritika për mungesën e terminëve.

“Shpeshherë nuk po ka termine të lira, a këtu kur vjen po e sheh që ka shumë hapësirë. Nuk po e kuptoj pse terminët po i vonojnë aq shumë, kur ka kërkesa për t’u vaksinuar nga ne qytetarët”, ka thënë ajo.

Deri të dielën, në Kosovë janë administruar 1 milion e 33 mijë vaksina. Vetëm në 24 orët e fundit janë administruar 18.214 vaksina.

Artikuj të ngjashëm