SOT

Rreth 50 euro për drekën e Bajramit, qytetarët të shqetësuar për çmimet

Në prag të festave përgatitjet e qytetarëve shtohen, si në sektorin e ushqimeve e po ashtu edhe në atë të higjienës, sidomos kur është në pyetje festa e Bajramit. Mirëpo vitin e fundit qytetarët e Kosovës janë përballur me një inflacion të dukshëm dhe ngritje enorme të çmimeve në produktet bazë të ushqimeve. Qytetarët janë shprehur të shqetësuar për shtrenjtimet

Gjatë vitit të fundit, qytetarët e Kosovës janë përballur me një rritje të dukshme të inflacionit dhe me ngritje të çmimeve, sidomos të produkteve bazë ushqimore.

Zakonisht, në prag të festave, marketet në vend shpallin oferta dhe ulje çmimesh. Megjithatë, sipas konsumatorëve, këto ulje shpeshherë janë simbolike dhe nuk e lehtësojnë mjaftueshëm xhepin e qytetarëve.

Pavarësisht ndryshimeve të shumta ndër vite, tradita e sofrës së Bajramit në familjet kosovare vazhdon të ruhet. Por sot, kompletimi i saj, qytetarit të Kosovës pritet t’i kushtojë rreth 50 euro edhe me zbritjet e ofruara nga marketet.

Qytetarët thonë se përballja me shtrenjtimin e çmimeve është bërë sfidë e përditshme, jo vetëm gjatë festave, por edhe në ditët e zakonshme.

“Bajrami është bajram është festë dikush i ka kushtet më mirë, dikush tjetër që nuk i ka kushtet ekonomike më të mira nuk shpenzon shumë. Çmimet e ushqimeve janë shtrenjtuar mirëpo duhet t’i blejmë nuk kemi zgjidhje tjetër”, thekskon një i moshuar.

“Pritet që 100 euro të kushtojë një drekë Bajrami, është shtrenjtë, mirëpo nuk është si më herët aspak festa. Tani vetëm që e dimë ditën e festës por ka pak përgatitje”, shton një tjetër.

Situata është edhe më e rëndë për kategoritë me të ardhura të ulëta, sidomos për pensionistët.

Ata thonë se ndiejnë nostalgji për festimin e Bajramit në kohën e kaluar, duke thënë që tanimë as festat nuk e kanë gëzimin e njëjtë.

“Shumë e vështirë me i përballuar çmimet sepse unë jetoj vetëm me pension. 230 euro e marr pensionin dhe po mbesim pa para. Kush ka para dhe sa ka mundet me përgatit, nuk është e domosdoshme të plotësohen të gjitha sepse ka shtrenjtime të mëdha. Tash as Bajrami nuk është si më herët, tash ushqimet e njëjta janë prezentë në sofrat tona çdo ditë duke përfshirë edhe ëmbëlsirat. Unë kam nostalgji për festën e bajramit si është organizuar më herët, duke filluar që nga blerja e rrobave të reja. Tani kanë ndryshuar shumë gjërat”, deklarton një qytetar.

“Ne po e përballojmë disi mirëpo është shumë e vështirë sidomos për ata që kanë të ardhura të vogla. Unë i kam djemtë që po punojnë sepse vetë nuk do të kisha mundur të ia dal. Për Bajram secili mundohet të përgatit më mirë ushqimin. Më përpara ka ekzistuar më shumë harmoni mes njerëzve edhe në festa tash më nuk është shumë prezentë ajo dukuri”, shton një tjetër.

Përveç ushqimeve, familjet shpenzojnë para edhe në sektorin e higjienës dhe të ëmbëlsirave.