SOT

Rastavica, fshati i ndërtuar nga kontributi i mërgatës

Rastavica është një fshat në Komunën e Deçanit, një vend që bie në sy për mënyrën e veçantë të jetesës së banorëve të saj. Me rreth 300 shtëpi të bukura, fshati nga banorët shpesh krahasohet me Zvicrën, falë standardit të lartë të jetesës.

Xhafer Kadrijaj, kryetar i fshatit, ka vendosur të kthehet në vendlindje pas daljes në pension para 10 vjetësh. 

Me mbështetje të mërgatës, fshati ka përparuar ndjeshëm duke u bërë një shembull i bashkëpunimit. Kadrijaj beson se pa këtë ndihmë arritjet nuk do të ishin të mundura.

“Kam dalë në pension para 10 vjetësh dhe e kam parë të arsyeshme që të kthehem në vendin tim që të kontribuoj. Edhe më herët kam kontribuar, por tani nga bukuria e fshatit kam dëshirë të kontribuoj më shumë. Pa diasporën ne nuk kishim arritur këtu ku jemi. Diaspora na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Për një odë që e kemi ndërtuar, ka persona që kanë dhënë deri 2 mijë euro nga xhepi i tyre e për 1 mijë e 500 nuk po flasim”, deklaron Kadrijaj. 

Sipas tij, jetesa në fshat është më e mirë se në Zvicër. Banorët e Rastavicës kanë ndërtuar shtëpi moderne dhe jetojnë në kushte shumë të mira, duke e shndërruar këtë vend në një model të jetesës së qëndrueshme.

“Më shumë më pëlqen me jetuar në fshat sesa në Zvicër. Besoj që edhe të tjerët kanë dëshirë të kthehen këtu, e kanë vendin e mirë, shtëpitë e mira sepse i shoh në pushime kur të vijnë thonë se fshati është i mirë. Gati si në Zvicër e kanë, vetëm duhet të punojmë me arrit qëllimin. Edhe më herët kam thënë që fshatin do ta bëjmë si në Zvicër. Fshati është shembull për komunën e Deçanit”, thotë Kadrijaj. “Kanalizimet i kem, që si ka asnjë fshat tjetër, ndriçim kem në rrugë sikurse qyteti. Unë nuk e di çka i pengoj një banori të lë fshatin e të shkoj në qytet për të jetuar. Banorët këtu po t’i pyesësh nëse duan të jetojnë në qytet asnjëherë nuk do të dëshironte këtë, se qytetin e kanë në fshat. Këtu është bukuri e madhe është gjelbërimi, fusha, shtëpitë e bukura , gjitha kushtet i kanë”.  

Të gjitha investimet në infrastrukturën e fshatit Rastavica janë realizuar nga vetë banorët dhe diaspora, pa pritur asnjë ndihmë nga Komuna.

“Ne nuk varemi nga Komuna. Na kanë dhënë disa premtime për kthimin e shpenzimeve që i bëjmë në fshat, por ne nuk mbështetemi nga Komuna”, thekson Kadrijaj.

Tahir Kelmendi, arkëtar i fshatit, tregon se çdo vit mblidhen rreth 30 mijë euro, të cilat shpenzohen për nevojat e fshatit, duke siguruar një menaxhim të qëndrueshëm dhe transparent.

Një nga investimet më të mëdha në Rastavicë ka qenë ndërtimi i odës së fshatit, e cila shërben për ahengje, ngjarje kulturore dhe mortore. Ky projekt ka kushtuar 80 mijë euro dhe është realizuar me kontributin e mërgatës dhe banorëve të fshatit.

“Menaxhimi duhet me qenë shumë transparent, çdo njëri që jep pare dëshiron ta dijë ku po shkojnë ato para. E ne për një centë japim llogari. Oda e fshatit më parë ka qenë e shtruar në tepihë, sfungjerë, pra sikurse odat e më hershme. Vitin e kaluar për shkak të higjienës kem marr vendim që ta ndryshojmë brendësinë e odës”, deklaron Kelmendi. “Oda është e gjithë banorëve të fshatit dhe e kanë të drejtën me shfrytëzuar për gjithçka që ata kanë nevojë. Sikurse mortore apo edhe për gëzim”. 
Blerim Kadrijaj, një 63-vjeçar që ka jetuar 38 vjet në Zvicër, ka zgjedhur të kthehet në vendlindjen e tij. 

Ai tregon se ndihet më mirë në fshatin e tij, ku mund të jetojë pranë njerëzve të tij dhe të shijojë një mjedis të pastër e të qetë.

“Jam dalë në pension parakohshëm nga Zvicra. Jetoj këtu për mrekulli, jam kthye në vendlindjen time, një vend që e dua shumë. Gjithçka është e mirë këtu ajri, jeta e mirë, njerëzit e mi. Në Zvicër kam jetuar 38 vjet dhe kam vendosur që tash të jetoj në fshatin tim. Zvicra neve na ka mundësuar ta bëjmë një jetë të lumtur dhe kem fituar prej saj. Zvicra është vend i shkëlqyeshëm synon ligji, është siguria. Është vend me gjitha të mirat. Edhe gjatë luftës kanë ardhur të bashkëngjiten në luftën e Kosovës. Zvicra është gjiganti më i madh për ne shqiptarët Zvicra. Zvicrës duhet t’i jem falënderues, veproni sikurse unë, duani vendin e huaj, fitoni, por duani më së shumti vendin tënd. Kthehuni në vendin tuaj, sepse jeta është këtu. Sikurse vendi juaj nuk ka asnjë vend në botë”, deklaron Kadrijaj.

Edhe shkolla fillore dhe e mesme “Rexhep Kadrijaj” ka përfituar rinovime të shumta, falë ndihmës së diasporës dhe banorëve të fshatit. Aktualisht në të mësojnë rreth 150 nxënës nga fshatrat përreth.
“Në këtë shkollë gravitojnë nxënës të disa fshatrave Rastavicë, një pjesë nga fshati Prejlep, Babablloc dhe nxënësit e fshatit Pemishtë. Kjo shkollë për momentin i ka 150 nxënës është pak shqetësuese numri i nxënësve shkak i rënies së natalitetit dhe migrimeve. Në këtë shkollë përveç ndihmave që ka dhënë Komuna edhe këshilli i fshatit e ka ndihmuar shkollën me 7 mijë euro, për investim”, deklaron drejtori i shkollës “Rexhep Kadrijaj”, Blerim Selmanaj.

Banorët e fshatit thonë se në Rastavicë nuk ka asnjë familje që të mos ketë kushte të mira jetese. Ata së bashku me mërgatën punojnë për përmirësimin e infrastrukturës dhe kujdesen për njëri-tjetrin duke u ndihmuar në raste të nevojshme. 

Aktualisht komuniteti është mobilizuar për të mbledhur ndihma për një grua që po lufton me kancerin, një tjetër shembull i solidaritetit të thellë dhe mbështetjes së ndërsjellë.