Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Një kahe të re po e merr bujqësia

A keni menduar ndonjëherë se mund të kultivoni bime pa dhe fare? Sado e çuditshme që po tingëllon, ky proces është i mundur dhe po realizohet në Drenas.

Në një hapësirë jo edhe aq të madhe Flamur Bekteshi me shokun e tij po kultivojnë disa lloje te bimëve me sistemin akuaponik, raporton KOHA.

Në tërësi ky sistem është një avancim shumë i madh në fushën e bujqësisë, marrë parasysh që përkundër mënyrës tradicionale të kultivimit kërkon pak fuqi punëtore për të mos thënë fare.

Në një zinxhir të mbyllur, bimët aty rriten nga mbetjet organike të peshqve të cilat arrijnë me anë të ujit deri te rrënjët e tyre.

Në mënyrat e kultivimit deri tani thuajse çdo proces, që nga mbjellja e farës e deri te vjelja e produktit varet nga kushtet natyrore. E në këto mënyrat moderne kushtet për kultivim rregullohen nga vetë prodhuesi sipas nevojës së bimës.

Bekteshi tregon për karakteristikat e bimëve që rriten në këtë sistem, e thotë që edhe pse janë ende në fazën e fidanëve, ato kanë një shije shumë të mirë e të koncentruar.

Edhe Fiku që kultivohet në Llukar të Prishtinës SOT Fiku që kultivohet në Llukar të Prishtinës

Përparësitë e kësaj mënyre të rritjes së bimëve janë të shumta, e në veçanti kualiteti i tyre. Këto bimë rriten në një ambient të kontrolluar varësisht prej nevojës së bimëve.

E këtu fidanët rriten krejtësisht shëndetshëm nga mbetjet organike dhe pa pesticide, insekticide e kemikale të tjera.

Kjo kahe moderne drejt së cilës po shkon bujqësia zgjidh probleme të shumta me të cilat prodhuesit ballafaqohen tani, duke filluar nga shfrytëzimi i hapësirës, shpenzimi i ujit e kualiteti i produkteve.