Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Nënkalimet e Prishtinës me ngjyra e forma kreative

Të mbushura me mbeturina e më të pasigurta në mungesë ndriçimi kanë qenë shumë prej nënkalimeve në kryeqytet.

Së fundmi, ato kanë marrë pamje tjetër në kuadër të projektit për rregullimin e hapësirave publike.

Përveç investimit në infrastrukturën e nevojshme, edhe mureve u është dhënë rëndësi duke i bërë shumëngjyrëshe.

“Puna ka filluar duku para një muaji përafërsisht, pasi që kanë përfunduar procedurat e tjera, që edhe ato në vete marrin disa muaj. Pasi që filluam me realizimin e kontratës, e diskutuam ne brenda drejtorisë, kishim ide të ndryshme se çka do të bëjmë e çfarë ngjyra do të vendosim”, ka deklaruar Mendina Braha.

Arkitektja Zejnije Kastrati thotë se ngjyrat e format e zgjedhura për rregullimin e nënkalimeve, përveçqë janë artistike, kanë ndikim edhe në anën psikologjike të kalimtarëve.

“Nënkalimi në fjalë nuk ka ndonjë biznes, ndonjë lokal që të jetë më atraktiv në lëvizje nga qytetarët. Kemi dashtë që ta shfrytëzojmë atë anën psikologjike, të luajmë me ngjyra, ku shihet që në hyrje dhe dalje e kemi shfrytëzuar ngjyrën e verdhë që vërehet nga komunikacioni”, ka shtuar Kastrati.

Qytetarët e kanë mirëpritur rregullimin e nënkalimeve, të cilat i vlerësojnë si atraktive.

“Edhe pse ende nuk është përfunduar, është publikuar dhe e kanë parë qytetarët. Unë po shoh që kanë filluar edhe të vijnë të bëjnë foto këtu te nënkalimi”.

Thonë se janë të shqetësuar se ato mund të shkatërrohen e të kthehen në gjendjen e mëparshme.

E në rast mungese të kujdesit, Drejtoria e Shërbimeve Publike ka menduar edhe për mbikëqyrje e vendosje të kamerave brenda nënkalimeve.

Nënkalimet e rregulluara lidhin “Kalabrinë” me “Dardaninë” dhe në anën tjetër “Kalabrinë” me Lagjen e Spitalit.

Artikuj të ngjashëm