E rritur në një familje ku gjyshja dhe mami i saj ushtronin zanatin e rrobaqepëses, Jehona Arifi e kalonte kohën më të madhe në punëtori.
Duke e parë nga afër procesin, ajo filloi të qepte rroba për kukullat e saj e nganjëherë edhe për veten.
Me gjithë vullnetin e dashurinë për dizajnin, ajo vazhdoi t’i zgjeronte aftësitë e veta e t’i sfidonte ndryshimet që erdhën me kohën.
Dizajnet e veçanta që ajo tash po i sjell nuk janë vetëm rezultat i punës së saj, po edhe mënyrës se si e sheh botën.
Ato vijnë si një gërshetim në mes të leximit, filmave të vjetër e muzikës klasike, të cilat janë një pasion tjetër i Jehonës.
Stili në të cilin ajo i sjell këto veshje është i guximshëm, më ndryshe nga dizajnet e zakonshme. Kjo, për arsyen se frymëzohen nga ndjenjat e disenjatores.
E së fundmi ajo po i paraqet punimet e saj edhe në rrjetet sociale me qëllim që të zgjerohet edhe si brend.
Kjo menjëherë e ka zgjuar vëmendjen e të tjerëve, të cilët kanë shprehur interesim e i kanë dhënë lëvdata për punimet e saj.
Punëtorinë e ka improvizuar në një dhomë të shtëpisë, ku e kalon pjesën më të madhe të kohës së saj. E synim e ka që të njihet për stilin e veçantë që e paraqet.