SOT

Mërgimtarët sjellin “Kalin e Trojës” në Kosovë

E kaluan një pjesë të madhe të jetës në Gjermani.

E vite më pas, mërgimtari Sami Voca bashkë me të birin e tij Florianin, u kthyen në Kosovë për një investim në fshatin Maxherë të Mitrovicës.

Samiu e Floriani të lidhur me rrënjët e tyre, po e sjellin historinë e Trojës në këtë fshat, e madje për të tërhequr edhe më shumë vizitore ata kanë ndërtuar kalin e Trojës.

26-vjeçari, për herë të parë shkeli në vendlindjen e babait 6 vjet më parë.

Kimia është dega të cilën e ka studiuar, e përkundër arritjeve të tij në Gjermani, Kosova për të mbetet vendi më tërheqës.

Floriani që synon edhe mësimin e gjuhës shqipe për emisionin "Sot" në Kohavision tha se i pëlqen shumë fshati dhe mundësitë që ofrohen këtu.

Babai i tij Samiu deklaron se mërgimtarët janë ata të cilët më së shumti e ndiejnë mallin për vendin e lindjes.

Për të tashmë po realizohet një dëshirë e kamotshme.

Që të dy të lidhur me traditat e Kosovës, ata kanë sjellë 26 kuaj e edhe gomarë, të cilët po e bëjnë edhe më tërheqës projektin e tyre.

Mungesa e zhvillimit të infrastrukturës rrugore dhe energjisë i ka penguar edhe Samiun e Florianin.

Megjithatë, ata shpresojnë se ky problem nuk do të vazhdojë pas hapjes së biznesit, i cili pritet të startojë në këtë fundjavë.