Tetë kilometra larg Malishevës ndodhet fshati Bellanicë. Në këtë fshat ndodhen mbi 400 shtëpi e një dukuri tjetër aty është migrimi i madh i banorëve.
Kjo, në mënyrë që të gjejnë një jetë më të mirë jashtë vendit.
Por, edhe pse shumica e banorëve të këtij fshati janë në mërgim, e kanë gjetur një mënyrë që të japin kontributin për vendlindje.
Me ndihmën e tyre, ky fshat tashmë e ka një fond ku mblidhen të holla që më pas shfrytëzohen për nevojat kolektive të komunitetit.
Kjo, ndër të tjera ka rezultuar në mirëmbajtjen e fshatit. Me shporta për mbeturina, karrige për pushim, drunj të ndryshëm e edhe mesazhe vetëdijesuese, Bellanica ka një pamje tejet të veçantë.
Kryetari i fshatit flet për këtë iniciativë e cila ka tash e disa vjet që po shkon mbarë, dhe po e bën Bellanicën fshat të jetueshëm për banorët edhe bashkatdhetarët.
Sertolli është edhe drejtor i shkollës së fshatit ku nuk mungojnë fushatat vetëdijesuese se si duhet ruajtur ambienti.
Kjo vërehet edhe nga oborri i mirëmbajtur i shkollës.
E tash e disa vjet fshati vetëm se përmirësohet me infrastrukturë. Për pastërti banorët thonë se janë të pandashëm.