SOT

Janet në Amerikë e Xheneta në Kosovë, rrëfimi i amerikanes që iu shqipërua emri

Prej kur është zhvendosur në Kosovë, pyetja më e shpeshtë që i bëhet është nëse e di kuptimin e emrit të saj.

Në vend të emrit Janet, në Kosovë amerikanes iu shqipërua emri në Xhenetë.

Amerikania 71-vjeçare e cila ka vendosur ta kalojë në Kosovë pjesën e mbetur të jetës së saj, tashmë është familjarizuar me këtë emër.

Për të tingëllon bukur edhe intonacioni me të cilin e thërrasin shqiptarët.

“Për nënën time ka qenë vetëm emër. Vëllai e motra e kanë emrin me Xh, e kur kam ardhur këtu kam kuptuar se ka tjetër kuptim. Hala njerëzit vijnë këtu e më vesin këtu se a e dua çfarë do të thotë Xhenetë në shqip në arabisht. Kur kam qenë atje në pazar i kam dëgjuar duke thënë pleqtë a paska emër Xhenetë a? Oj Xhenetë me thirrin në katund. Ka qenë si katund i vogël ka qenë një lagje në Breg të Diellit dhe gjithë qashtu më kanë thirrë”, ka thënë ajo.

Ajo që e shtyu të vijë në Kosovë në vitet e 80-ta, ishte gjuha shqipe dhe kultura, e cila, sipas saj, dallonte nga vendet e tjera të Ballkanit.

“Për herë të parë kam qenë studiuese e kulturës së Ballkanit, kam qenë valltare si fëmijë dhe antropologe dhe kam dashur të studioj diku në Zagreb, kam qenë në 80-shën aty dhe kam dëgjuar shqip dhe i thashë vetes kjo është shumë ndryshe kjo dallohet prej krejt kulturave në Ballkan se kam qenë në Bullgari, Maqedoni dhe kur kam dëgjuar shqipen e kam ditë që kjo është kultura që jam lidhë menjëherë. Kam shkruar në dasmë në Gerrnovë në një katund në Ferizaj dhe kam qëndruar aty një javë dhe kam vendosë të vijë përsëri këtu prej Amerikës dhe të studioj këtu. Kam qëndrua disa vjet këtu në vitet 80-ta dhe kam kryer magjistraturën”, ka shtuar Reinceck.

Kështu ajo filloi ta mësojë edhe gjuhën shqipe.

“Kur kam ardhur të jetoj këtu kam studiuar me gjurmime albanologjike, me fjalorin me vete, edhe përmes vallëzimit në Shota. Kam mësuar edhe këngën “O zambaku i bardhë”, problemi ka qenë se çka ka qenë në libër po ndryshon nga ajo që flasin tani njerëzit këtu”, ka thënë ajo.

Viteve të fundit, ajo vendosi të rikthehet përsëri në Kosovë, por kësaj radhe për të jetuar përgjithmonë.

“Është interesant se është diçka në zemër se nuk ka qenë diçka më logjike që oh duhet të shkoj në Kosovë. Më ka liruar më puna që kam bë në Amerikë që të jetoj këtu. tash mbushi 71 vjeç dhe jam e lirë të jetoj kudo në botë, jam e lidhur me atë punë këtu më pushon zemra. Më pëlqen shumë këtu. I kam shoqet që më marrin lakmi që jetoj këtu e jo në Amerikë”, ka deklaruar ajo.

Është inkuadruar aq mirë në vendin tonë saqë ka filluar edhe të punojë. Punë kjo që po e mban edhe më afër traditave shqiptare, gjëja që edhe e kishte shtyrë të vijë për herë të parë në Kosovë.

“Falënderuese është Falka Surroi se unë e njoh që disa vite nga nëna e saj. Kur kam ardhur këtu në Kosovë tani unë kam ardhur ta shoh Flakën dhe ne kemi qenë në një bisedë me të dhe ajo më ofroi të bëj një emision në KTV. Gjithçka ka qenë spontane dhe jam falënderuese sepse përmes këtij emisioni mund të njoh më shumë kulturën shqiptare. Për mua është një jetë e re që kam ardhur në Kosovë. Çdo ditë mësoj diçka të re, kam qenë në pazar një ditë një veshje kombëtare dhe i thashë a mund të marr hua dhe më njohën dhe më dërgoi te disa që i punojnë këto veshje që unë vetë kurrë nuk kisha mundë me i gjetë. Po dua të tregoj se çka është Kosovë dhe çka ka këtu kulturë që nuk ka askund në Kosovë”, është shprehur Reineck.

Por është diçka që i ka lënë më së shumti përshtypje nga ky vend.

“Mikpritja, dashuria ndaj Amerikës është që na len përshtypje. Shumë rrallë është në botë dhe kjo është diçka e mirë, por edhe muzika e vallja janë të veçanta. Është në eshtra të mia. E dua shumë gjuhën dhe nuk e di tash a jam duke folur shqip apo anglisht nuk e dalloj sepse jam shumë komode këtu. Dhe me televizionin KOHA jam shumë e kënaqur. E kam gjetur veten mirë”, ka vlerësuar ajo.

E vallet shqiptare tani ajo i di më mirë se vetë shqiptarët.

Megjithëse ka studiuar shumë për Kosovën, ajo vazhdon të mahnitet me traditat kosovare e të cilat i prek për së afërmi me emisionin e saj në KTV.