Në çdo hapësirë të Prelezit në Ferizaj, banorë e vizitorë në atë anë mund ta shohin të riun që mirëmban fshatin.
Me vetëm një pajisje që i hyn në punë për mbledhjen e mbeturinave, i mirëmban 12 lagjet e fshatit.
Puna e mëhershme e Afrimit nuk i sillte të ardhura të mjaftueshme sa për të mbajtur familjen.
Kjo është një nga arsyet që banorët e fshatit vendosën që së bashku ta paguanin për angazhimin e tij.
Përveç pagës të cilën e merr i riu nga Prelezi, janë banorët ata që herë pas here e shpërblejnë për punën.
Sahit Jakaj, njëri nga banorët e fshatit, shprehet i kënaqur me punën që Afrimi e bën përditë.
Këtë vendim të përbashkët banorësh, si dhe vetë punën e Afrimit ai e quan si një model të duhur edhe për vendet e tjera.
Banorët në fshatin Prelez njihen edhe për iniciativa të ndryshme që i ndërmarrin vetë ata e që lidhen plotësisht me mirëqenien e jetesës së tyre aty.