Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Finoku nga Vitomirica në tregun gjerman

Bima aromatike finoku, ka dy vjet që mbillet në Vitomiricë. Disa nga to kanë lule të verdha, por shumicës së finokut në parcelën e këtij fshati, tashmë i kanë dalë farat. Fillimisht ato kanë ngjyrë të gjelbër e pastaj, duke u tharë marrin ngjyrë kafe për t’i pritur korrjet e fundit të muajit, raporton KOHA.

Siç tregon menaxherja e “Organic Herb”, Violanda Morina, pavarësisht se tregu i Kosovës nuk e njeh shumë, ajo ka përdorime të ndryshme dhe po kërkohet nga tregu i Bashkimit Evropian. Kërcelli i finokut është thuajse i zbrazët, por janë tri pjesë të tjera të bimës që përdoren. Kërkesa e tregut gjerman deri më tani ka qenë vetëm për farën e kësaj bime, e cila përdoret edhe në mjekësi.

Sipas Morinës, kërkesa për të është më e vogël në raport me bimët e tjera aromatike siç është lulja e mëllagës. Sidoqoftë, ajo e rekomandon mbjelljen e kësaj bime për ata që kanë fusha të mëdha dhe pajisje për korrje. Nga produkti që e përpunon, ajo ka dalë e kënaqur dhe sipas saj, mbjellje do të bëjë edhe në vitin e ardhshëm. Këtë, do ta bëj me një sasi të farave për mbjellje.

Ndryshe, fara e finokut është e pasur me anti-oksidantë, fibra, mineralë të bakrit, hekurit e kalciumit dhe vitaminat A, E, C dhe ato B kompleks. Shija e kësaj fare është shpesh e ngjashme me pijet e forta alkoolike si uzoja greke apo rakia turke të cilat në përzierje me ujin e marrin ngjyrën e bardhë.