“Natyra është shtëpia jonë, duhet të kujdesemi për të”, është mesazhi që Liza Zenuni e ka marrë nga një shfaqje që u paraqit në shkollën “Xhemajl Mustafa”, ku ajo vijon mësimet në klasën e 5-të.
Është kjo shfaqja “Era e bllokuar” e krijuar nga bashkëpunimi ndërmjet qendrës për art “Artpolis” dhe “Shadows and Clouds” nga Maqedonia Veriore.
Brenda kësaj kutie me anë të hijes së figurave trajtohet tema e ndotjes së natyrës.
E publik mund të jenë 4 persona që e ndjekin shfaqjen nëpërmjet vrimave si sy të vendosura në kuti.
Janë këto shfaqje që për vite me radhë organizata nga Maqedonia e Veriut i sjell për publikun. Kësaj radhe ata u paraqitën para nxënësve të shkollës fillore “Xhemajl Mustafa” pas premierës në qytetin e Shkupit.
“Ideja prapa këtij projekti ka qenë që t’i bashkojmë kufijtë mes shteteve të regjionit dhe organizatave shoqërore të tyre. Në kemi ardhur në formën e performancës teatrale me hije, gjë që organizata jonë e bën për 15 vjet me radhë. Kemi kaluar në procese të ndryshme të hulumtimit bashkë me “Artpolis”, kemi diskutuar mbi shumë tema të ndryshme, por në fund të ditës jemi pajtuar se natyra, ruajtja e saj dhe ekologjia është diçka mbi të cilën asnjëherë nuk është tepër të diskutohet. Sidomos kur performojmë para fëmijëve. Inspirimin e kemi gjetur nga storiet lokale këtu në Kosovë, të cilat pjesëtarët e “Artpolis” i kanë ndarë mes neve. Si shembull është storia e një heroine nga Kosova, e cila ngjitet në male ku ne edhe i kemi përfshirë malet si pjesë e performancës. Ne sot po performojmë në Prishtinë, me shpresën që edhe projektet e “Artpolis” do të vijnë në teatrin e Shkupit në mënyrë që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim përtej kufijve”, tha Aleksandra Stojanovska.
Pasi që nxënësit e përcollën shfaqjen me shumë vëmendje, e vizatuan nga një kartolinë me mesazhin që e morën nga tregimi për bashkëmoshatarët e tyre nga Maqedonia e Veriut, të cilët po ashtu kanë dërguar kartolina.
Përpos vetëdijesimit për ruajtjen e ambientit, nëpërmjet këtij aktiviteti fëmijët janë njohur edhe me një kulturë tjetër me anë të mesazheve që i kanë shkëmbyer me bashkëmoshatarët.
Efektet vizuale e të zërit u kanë lënë mbresa vogëlushëve, të cilët me shumë vëmendje e përcollën shfaqjen e cila zgjat plot 7 minuta.