Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Edukata fizike në shkolla, argëtim e shëndet më i mirë për fëmijët

Edukata fizike po rezulton të jetë lënda më e pëlqyer e nxënësve në Kosovë. Salla e edukatës fizike e shkollës “Iliria” në Prishtinë është mbushur me nxënës të klasës së 5-të dhe 9-të. Këto dy gjenerata po e ndajnë bashkë sallën për të ushtruar aktivitete fizike.

Pa kaluar shumë kohë, nxënësit rreshtohen dhe fillojnë nxehjen e trupit me ushtrime.

Një ndër mësimdhënësit që po i ligjëron është ish-futbollisti Visar Zogiani.

“Në shkollën “Iliria” jam qe 5 vjet, në të kaluarën kam qenë futbollist. Me përfundimin e fakultetit master për edukatë fizike kam arritë me e fitu një vend pune si arsimtar i edukatës fizike. Roli edhe rëndësia e edukatës fizike është shumë e rëndësishme në shkollë, po edhe në jetë të përditshme, sepse na ndihmon për një drejtqëndrim të trupit, jetë më të mirë, më të shëndetshme, imunitet më të fortë dhe e kemi pa që në kohën e fundit jemi vetëdijesuar më shumë që roli i edukatës fizike është shumë i madh. Në të kaluarën e dimë që nuk kemi pasë internet e kemi qenë shumë më ndryshe. Unë e di se shumicën e kohës e kemi kalu duke luajtur jashtë, kurse tash sheh shumë pak”, thotë Zogiani.

Edhe pse është lëndë me aktivitet fizik, edukata fizike ka botimet e saj qysh nga klasa I deri në atë të IX dhe sipas arsimtarit, librat duhet patjetër të përdoren, sepse mësohet rregulli e disiplina.

Edhe Mësimdhënësit dhe nxënësit refuzojnë lëndën e Edukimit Seksual Arbëri Mësimdhënësit dhe nxënësit refuzojnë lëndën e Edukimit Seksual

“Po patjetër. Është libër që patjetër duhet përdorur. Është i botuar nga profesionistë. Nuk jemi këtu që të krijojmë sportist, por jemi të krijojmë një trup të shëndoshë. Në libër janë gjërat nga A deri në ZH”, tregon Zogiani.

Edhe mësueset angazhohen në këtë orë për fëmijët e ciklit të ulët nga klasa 1 deri 5. Megjithatë, mësueset nuk mund ta shfrytëzojnë sallën sikurse fëmijët nga klasa e 6-të e tutje.

“Të gjithë e dimë rëndësinë e aktivitetit fizik te fëmijët, kështu që ato 2 orë të javës që ia kushtojmë kësaj lënde, mundohemi ta bëjmë sa më mirë. Brenda shkollës kemi hapësira të mjaftueshme që kjo orë të realizohet sa më mirë”, thotë mësuesja Alma Buleshkaj.

E Zogiani thotë se nuk pajtohet që lënda të mbahet nga mësuesit.

“Jemi prej klasës së VI deri në klasën e IX, edhe pse nuk pajtohem që lënda e edukatës fizike të mbahet nga mësuesit apo mësueset, sepse ka shumë arsimtarë të kësaj lënde që janë të papunë. Është lëndë që duhet të mbahet nga profesionistët, kem pa që te fëmijët ka shumë deformime dhe është diçka që më mirë të merren profesionistët me ta”, thotë ai.

Është Bora Hoxha, nxënëse e klasës së pestë që lëndë të preferuar ka pikërisht edukatën fizike. Ajo tregon se është duke pritur me padurim klasën e VI-të që këtë lëndë ta mbajë vazhdimisht në sallën e sportit të shkollës.

Edhe Mësimdhënësi që po ua mëson nxënësve shigjetarinë SOT Mësimdhënësi që po ua mëson nxënësve shigjetarinë

“Lënda ime e preferuar është lënda e edukatës fizike dhe e edukatës figurative. Ne në këtë orë argëtohemi ose edhe mësojmë për sporte të reja dhe në njëfarë forme mësojmë shumë gjëra të reja. Edukata fizike dhe sportet janë të shëndetshme dhe e mbajnë higjienën. Librin shumë rrallë e lexojmë, sepse nuk e përdorim shumë”, tregon Hoxha.

Pozitën si drejtoreshë e ka marrë tani në shtator të këtij viti, por ka 24 vjet që ka ligjëruar lëndën e edukatës fizike po në atë shkollë. Drejtoresha Drita Nishevci tregon rëndësinë e sportit nga sytë e saj.

“Rëndësia e edukimit fizik është më se e domosdoshme, pasi që për shkak të rrethanave jetësore fëmijët janë bukur pak të angazhuar me aktivitet fizik, pasi që në të shumtën e rasteve nuk kanë vende ku të ushtrojnë. Ndikojnë shumë edhe telefonat. Unë si profesoreshë kam pas qasje në të gjitha sportet. Kujtoj se kam pas shumë talente në gjenerata të ndryshme. Sporti në Kosovë është rritur shumë dhe janë hapur shumë dyer. Unë si mësimdhënëse kam shfrytëzu mundësitë e mia nëpër vende të ndryshme, gjithmonë i kam përkrahur nxënësit e sot janë sportistë të shkëlqyer”, tregon Nishevci.

Sipas Nishevcit, si shkollë rëndësi po i kushtojnë bukur mirë edukatës fizike. Pasi që marrin pjesë nëpër gara rajonale dhe kombëtare.

“Ekipi i basketbollit është ekip me shumë sukses dhe rezultate. Sa i përket ekipit të futbollit me djem kemi zënë vendin e parë në nivel komunal. Me vajzat kemi pasur vendin e parë në nivel komunal. Përmes nxënësve do ta ngremë nivelin e shkollës Iliria”.

Fizioterapeuti, Dior Gërdovci, veçon se ushtrimet janë të domosdoshme dhe se shkollat duhet patjetër të respektojnë orarin dhe fëmijët të ushtrojnë sa më shpesh.

Edhe Më pak aktivitet fizik, e më shumë fëmijë obezë në Kosovë Arbëri Më pak aktivitet fizik, e më shumë fëmijë obezë në Kosovë

“Në ditët e sotit teknologjia është zhvilluar shumë dhe pasojat e tyre janë siç dihet dhimbjet e shpinës, nyjat. Duhet mënjanuar ky fenomen e përkushtim të madh duhet t’i kushtojmë lëndës së edukatës fizike. Një tjetër veçori e dhimbjes së shpinës është edhe bartja e çantës së shkollës. Kuptohet se fëmijët tani kanë shumë libra dhe kjo do të ndikojë një kohë tjetër ku do fillojnë problemet me boshtin kurrizor. Kisha këshillu mësimdhënësit që të reduktojnë librat për fëmijët që nuk kanë mundësi t’i lënë librat në shkollë”, thotë ai.

E pavarësisht sfidave, salla është vendi që përveç sportit, sjell edhe argëtim e dobi të shumta për fëmijët.