Fatjona Rudi
Për dallim nga dyqanet e zakonshme, në një dyqan në Fushë-Kosovë personat në nevojë mund të zgjedhin veshmbathjet që i dëshirojnë dhe nuk duhet të paguajnë për to.
Është ky freeshop, lokali bamirës i themeluar nga organizata “The Ideas Partnership”. Ai funksionon që nga viti 2025.
Në këtë dyqan kushdo që posedon veshmbathje e gjësende të tjera mund t’i ndihmojë familjet në nevojë duke i dhuruar ato.
Dyert e “free shopit” hapen dy herë në javë, të mërkurën dhe të premten.
“Ne si organizatë, duke parë punën që e bëjmë çdo ditë me komunitete e kemi parë të arsyeshme me mbledhë rroba të dorës së dytë prej personave të ndryshëm, qoftë organizata apo persona individë…”, thotë Arjeta Islami, koordinatore në “The Ideas Partnership”.
Islami ka treguar se donacionet nuk janë të pakta, por asnjëherë nuk është shumë duke parë nevojat që kanë.
“Donacione ka shumë, por duke marrë parasysh gjendjen e tyre që e kanë dhe nevojat që kanë nuk është asnjëherë mjaftueshëm. Shumë herë na pyesin a mund të sjellim këtë e atë…”, deklaron ajo.
Kjo organizatë ekziston tash e shumë vjet dhe ndihmon komunitetet edhe në edukim.
“Organizata ekziston që nga viti 2011 dhe shtrihet edhe në fusha të tjera, si edukim, drejtësi, mirëqenie sociale e kulturë… Si organizatë punojmë me komunitete, por jo vetëm me ta”, thotë Islami.
E për dhuruesit bamirës, organizata ofron edhe mundësinë e transportit të mallrave që ata falin.
Bëhet thirrje që rrobat që dhurohen të jenë të përdorshme dhe pa defekte të mëdha.