Organizata joqeveritare “Nëna dhe Fëmijë të Lumtur” ka disa vite që është e angazhuar për t’i dalë në ndihmë shoqërisë, e cila jeton në kushte jo të mira.
Si çdo vit tjetër, edhe këtë herë është duke u zhvilluar kampanja me moton “Përgatite dhuratën vetë, jep dashni për dikë që se pret”.
Edita Dula, bashkë me anëtaret e organizatës, Lirie Aliu dhe Arta Muqaj, kujdesen që secila dhuratë të shkojë në mënyrën dhe pamjen më të mirë të mundshme.
Ato janë në pritje të tyre nga ora 09:00 deri në orën 16:00.
“Tashmë është viti i 5-të që e bëjmë këtë kampanjë, është një ndër kampanjat që më së shumti na mbush me energji pozitive, e bëjmë me shumë qejf kur grumbullojmë dhurata për familjet me nevojë. Fëmijët e familjeve që janë të regjistruara këtu marrin dhurata dhe gëzohen shumë për ato që marrin”, tregon Dula.
Edhe
Një hap i ri drejt bamirësisë dhe ruajtjes së mjedisit – përmes bankomatit të NLB Bankës
Sipas Dulës, për të gëzuar secilin fëmijë të familjeve të cilat janë të regjistruara në organizatë, duhen edhe më shumë dhurata të mblidhen, në mënyrë që asnjë nga fëmijët të mos kthehet duarbosh.
Ndërsa, vitin e kaluar, kjo kampanjë kishte arritur të mblidhte plot 2500 dhurata.
“Ka ndodh shpesh që fëmijët kur kanë ardhur këtu me marr dhurata kanë thënë se kjo qenka shtëpia e babadimrit, sivjet presim edhe më shumë dhurata duke marrë parasysh edhe gjendjen me pandemi që jemi”, shton ajo.
Në secilën pako, duhet të shënohet mosha për të cilën është menduar dhurata dhe një dedikim për fëmijën që do ta pranojë atë.
“Është ndjenjë e mirë që fëmijët po sjellin dhurata, ka të tilla që bashkëmoshatarët e tyre dhurojnë dhe shkruajnë një dedikim për ta”, shton Dula.
Lirie Aliu thotë se në këta 6 vjet punë në organizatë, periudha e fundvitit është ajo që e gëzon më së shumti, e sidomos kur e di që do të vijë të përgatisë dhurata.
“Gjatë kampanjave të tjera nuk jam aq e gëzuar se sa për këtë kampanjë, e di që do të vij të përgatis dhurata dhe do ta gëzojmë një fëmijë sepse gjatë tërë vitit fëmijët e presin këtë ditë më së shumti”, thotë Aliu.
Edhe 8-vjeçarja, Lejla Miftari, është një ndër kontribuueset në këtë kampanjë.
Edhe
NLB Banka dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve bashkojnë forcat për të ardhmen e fëmijëve dhe mbrojtjen e mjedisit!
“Dikush më ka gëzuar mua edhe unë të njëjtën gjë kam dashur ta bëj, të gjithë këto i kam marr në shtëpi i kam sjellë ato dhurata që më parë më kanë blerë prindërit e mi”, tregon Miftari.
Kampanja do të vazhdojë deri më 28 dhjetor, ndërsa dhuratat nuk duhet të kenë përmbajtje të veshmbathjeve.