Është rreth 14 kilometra larg qytetit të Suharekës, shtrihet rrëzë bjeshkëve të Jezercit, që u ngjiten vargmaleve të Sharrit.
Për të shijuar pamjet magjepsëse të fshatit Budakovë janë mbi 600 metra lartësi mbidetare që të dërgojnë në lagjen “Buzhalë”, e më pas edhe 1.100 metra për tek lagjja “Hoxhët”, raporton KOHA.
Sipas kryetarit të fshatit, Xhemajl Kokollari, Budakova ka tokën më pjellore në rrethinë.
Banorët e fshatit me shumë ëndje vazhdojnë t’i ruajnë objektet e vjetra që dikur kishin shumë rëndësi për ta.
Njëra ndër to është edhe shtëpia për të cilën mendohet se vjetërsia e saj është mbi 200 vjet.
Ai tregon se edhe tradita e veshjes ende po ruhet në këtë zonë.
Kokollari shton se asnjë nga fshatarët nuk vuan nga sëmundja e veshkave, e, sipas tij, kjo vjen nga uji i mirë që gëzon Budakova.
Për karakteristikat e fshatit dhe të mirat që i ofron, historiani i ri, Beqir Palushi, i rrëfen secilit vizitor që vjen këtu.
Beqir Palushi thotë se fshati në kohën e luftës ishte shkatërruar i tëri, por banorët nuk hoqën dorë dhe më pas filluan rindërtimin e saj.
Prej 8 mullinjve që ishin këtu, në kohën e sotme vetëm njëri është funksional.
Milazim Buzhala thotë se mullirin e ka trashëgim nga babai.
Fshati Budakovë është njëri prej vendbanimeve me territorin më të gjerë në Suharekë, e po ashtu edhe ndër më të vjetrit.