Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Agrumet, të shëndetshme dhe të kërkuara nga qytetarët

Një maune me mandarina, të llojit klementinë, arrin për çdo ditë në depon e tregtarit Osman Fejza në tregun me shumicë afër zonës industriale.

Kërkesa për to është e madhe, pasi që mandarinat janë të më të preferuarat e qytetarëve nga të gjitha llojet e agrumeve në sezonin e ftohtë.

“Kërkesat në tregun kosovar janë shtuar sidomos në 2-3 vitet e fundit, kur kemi filluar të importojmë në sasi më të konsiderueshme, duke iu falënderuar fermerëve në Konispol dhe në rrethinat e tjera të Sarandës”, thotë Fejza.


Klementinat nisen në orën 6 pasdite nga Konispoli, fshat i Sarandës në kufi me Greqinë. Një pjesë e rrugës është e vështirë.


“Normalisht që rruga dhe kilometrazhi (i saj) deri në destinacion dhe deri këtu është shumë e gjatë, shumë e mundimshme dhe realisht kemi edhe probleme e dëme mekanike në automjete (transportuese)”, shton tregtari Osman Fejza.

Agrume si portokajtë e limonët i shet edhe Artan Brestovci. Sipas tij, qytetarët nuk kanë ende njohje të mjaftueshme për agrumet dhe i konsumojnë më pak sesa rajoni. Produktet këtu shpesh vijnë nga Turqia e Greqia.

Edhe Mos i hidhni lëvoret e mandarinave, përmbajnë shumë benefite të fshehura Lifestyle Mos i hidhni lëvoret e mandarinave, përmbajnë shumë benefite të fshehura


“E kemi portokallin e importuar nga Greqia dhe limonin e importuar nga Turqia. Tash është sezoni i dimrit dhe këto janë fruta dimërorë, kur bëhet edhe konsumimi më i madh i tyre”, thotë Brestovci.

Te limonët, qytetarët i dallojnë ato me erë e pa erë.

“Te limoni e kemi llojin majer që zakonisht quhet limo xhusi. E ka një shije pak më të rëndë, zakonisht ka shumë ujë, është limon pa erë. Në popull njihen (limonët) si me erë e pa erë”, thotë ai.


E preferuara e Brestovcit është grejpfruti, frutë që e pëlqen dhe e konsumon për çdo ditë.

“Ky e ka një shije jo të ëmbël e jo shumë të thartë. Kryesisht edhe kjo ka shumë vitaminë C. E mira e këtij fruti është se kush ka probleme me diabetin dhe me kolesterolin, e djeg kolesterolin në trup”, thotë ai.


Sipas tij, ka pak vende që shërbejnë lëng portokalli apo grejpfruti të freskët.


Sidoqoftë, ai preferohet shpesh për personat që bëjnë ushtrime të rregullta nëpër palestra. Leonard Nikaçi, ekspert i fitnesit në Transformohu, thotë se ka benefite të shumta nga konsumi i lëngut të freskët të portokallit.

Edhe Mandarinat me shumë benefite shëndetësore, por pse s’duhet ta teproni Lifestyle Mandarinat me shumë benefite shëndetësore, por pse s’duhet ta teproni

“Mund ta përdorim për benefitet e ndryshme shëndetësore, por edhe në kombinim me ushtrime për rikuperim pasi që është e pasur me karbohidrate, me antioksidantë, vitaminë C, vitaminë A dhe ndihmon në rikuperimin e muskujve nëse pihet pas ushtrimeve... është edhe burim i mirë i fibrave në dietën e personit që e konsumon”, tregon Nikaçi.

Por, kujdes, sipas tij, duhet bërë me sasinë e konsumimit.

“Një gotë lëng natyral është e mjaftueshme (në ditë) për të mos e tepruar dhe që t’i marrim benefitet e nevojshme që ndihmojnë shumë”, thotë ai.

Vlera ushqyese që e forcon imunitetin, e pranishme në të gjitha agrumet, është vitamina C.