Shkëlqim Miftari po fillon edhe një mëngjes me rutinë të njëjtë. Nga pasioni i madh për fitnesin, një pjesë të shtëpisë e ka shndërruar në sallë për ushtrime personale, por edhe për të tjerë.
25-vjeçari nga Gjilani që pasion ka fitnesin tash e 11 vjet.
“Unë me ushtrime merrna qysh si 5-vjeçar. Jam marr me futboll, basket e sporte të tjera, por qe 11 vjet jam përqendruar në fitnes. Jam trajner i fitnesit. Merrna me klientë dhe me problemet e tyre që kanë me probleme shëndetësore, si me bosht kurrizor e ligamente. E kam qendrën time personale rehabilituese”, thotë ai.
E si fëmijë ëndërronte të bëhej ushtar dhe punonte vazhdimisht për një fizik të mirë.
“Qëllimi pati qenë me u bo ushtar po edhe të tjerat sporte nuk i kam ndërprerë sepse merrem me to, por primare e kam fitnesin. Në mëngjes e kam kohën kur ushtroj për veten time e pastaj prej orës 10:00 në mëngjes kur filloj me klientë jemi këtu deri në ora 23:00. Interesimi është rritur tani, edhe pse rinia qëllim po kanë me e ndërtu një trup dhe me e tregu trupin e tyre, e nuk po punojnë nga ana e shëndetit. Unë gjithmonë ju them se më shumë rëndësi ka shëndeti sesa fiziku, sepse për një fizik të bukur duhet punë, nuk mjaftojnë pak muaj, kurse kur ushtron për shëndet të shtynë diçka që mos me ndalu, kurse trupin me e formu gjysma nuk shohin rezultat në muajt në fillim dhe e ndalojnë, andaj e rëndësishme është që të punohet për shëndetin tuaj”, tregon Miftari.
Edhe
Polakja thyen rekordin botëror për ngritje
Pos trupit të ëndrrave, ai arriti të thyejë rekorde me forcën e trupit të tij.
Janë pompat ato që e dallojnë të riun nga Gjilani, e me të cilat ai hyri në librin e rekordeve, “Guinness”.
“Sa i përket rekordit, ka lindur si ide para 7 vjetëve. Merrem më shumë me pjesën e pompave dhe qëllimi ka qenë me e bo një rekord. Shkaku i lëndimeve që janë pjesë e sportit nuk mundemi me u ikë, andaj më ka marr kohë më të gjatë dhe nuk kam ndalu asnjëherë. Ndoshta ndonjëherë jam ndalur edhe kam thënë se nuk dua të vazhdoj më, por prapëseprapë nuk jam dorëzuar asnjëherë. Më motivonte mendimi që këtë rekord nuk e ka pasur askush dhe e kam pasur atë inatin e mirë që nuk më ka lënë të dorëzohem”, thotë Miftari.
Ishte data 11 qershor e këtij viti kur Miftari iu nënshtrua sfidës për të thyer rekordin e kaluar.
“Normal këtë vit është bërë aplikimi. Edhe në certifikatë shkruan 11 qershor, data kur unë kam hy në sfidë, shkaku që duhet me pritë përgjigje 3 deri në 3 muaj e gjysmë e para 1 jave më ka ardhur konfirmimi se rekordi është pranuar dhe rregullat nuk janë shkelur, pasi që ata i kanë rregullat e veta që duhet respektuar”, tha Miftari
Ai akoma kujton 29 shtatorin, momentin kur pranoi emailin nga Guinness, që nuk mund të besonte se ishte bërë pjesë e këtij libri.
Edhe
Ushtrime më efikase në fitnes apo ecje në natyrë
“Njëherë nuk është se i besojsha, pasi që qëndrova 3 muaj e gjysmë me siklet duke mendu se a i kam përcjell rregullat, mos kam gabu, e prap nuk mundesha me e bind edhe veten se gjithçka është në rregull edhe ka me u pranu. Gjithmonë ka qenë ai sikleti. Në momentin kur e mora përgjigjen ka qenë një ndjenjë që nuk di si ta shpjegoj, nuk mundesha me e besu. Besa kam qenë me klient dhe i thojsha se a po e shikon edhe ti se a është e vërtetë. Ndonjëherë nuk më duket e besueshme fakti që kam hy aty, kjo ka qenë vetëm hera e parë e nuk kam plan të ndaloj”, deklaroi Miftari.
Hyrja në librin Guinness është një hap mjaft i madh për trajnerin e kjo punë u ballafaqua edhe me sfida.
“Qe 7 vjet që e kam qëllimin me qenë pjesë e librit, 7 vjet nuk jam stërvitë vetëm për këtë kategori. Jam përgadit edhe për kategori tjera gjatë kësaj kohe, por për këtë kategori ndoshta 2 vjet është rregullisht ushtrime për të thyer një rekord të tillë”, thotë Miftari.
Edhe pse është rekordi i parë në jetën e tij, 25-vjeçari ka akoma plane.
“Tek kjo kategori nuk do kthehem prapë edhe nëse më thyhet rekordi. Planet e mia janë me i thy edhe 2 rekorde tjera nëse nuk më vonohet përgjigja. Viti tjetër me pret me rekorde tjera e tek kjo kategori po e përmendi prapë se nuk do kthehem. Edhe këto do jenë rekorde me pompa, por vetëm se do përdoren 2 duart dhe do kem pesha mbi shpinë”, tregon Miftari.
Edhe
Nga atlete në trajnere fitnesi, sjell ushtrime unike për mitrovicaset
Deri në vitin tjetër, Miftari do të jetë duke ushtruar për të realizuar sërish një tjetër ushtrim për librin e rekordeve.
Ai synon të hyjë në Guiness për pompa me dy duar dhe pesha mbi shpinë.