Janë bërë plot 20 vjet qëkur u përurua kompleksi memorial i dëshmorëve, Gursel dhe Bajram Sylejmani në Sodovinën e Jerlive të Komunës së Vitisë.
Që nga ajo ditë, mikpritësi i përditshëm në këtë vend është Ahmet Musliu, i cili në mënyrë vullnetare e mirëmban hapësirën e këtushme.
Edhe pse në moshë të shtyrë, sipas Musliut, puna që ka bërë këtu e ka mbajtur atë në formë më të mirë.
“Në vitin 2000 kemi vë themelin e këtij memoriali ku i gjithë fshati mori pjesë në mënyrë vullnetare, e unë që nga ajo ditë asnjëherë nuk kam munguar. Edhe shëndeti më ka mbajt, unë kam 75-vjeç dhe ndihem shumë mirë”, thotë Musliu.
Kur kujton kohërat me Gursel Sylejmanin, ai nuk mund t’i përmbajë lotët, duke shtuar se asnjëherë nuk kishte pranuar të holla nga askush për punën që e bën.
“Unë e kam dashur shumë Gurselin...kam bashkëpunuar me të”, shton ai.
Musliu thotë se shumë banorë përreth shpesh herë kishin gjykuar punën e tij.
“Ka pasur shumë raste që më kanë pyet se sa më paguajnë për këtë punë duke e ditur se unë nuk punoj për para, por që më kanë provokuar”, tregon Musliu.
Ai thotë se gjatë verës ka vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare.
“Në sezonin e verës ka shumë vizitorë, e sidomos nga Maqedonia, ka edhe nga qytetet e Kosovës, por më shumë janë nga vendi fqinjë”, thotë ai.
Raportet miqësore e edhe bashkëpunimin që kishte pasur me dy dëshmorët, janë arsyeja që e shtyri atë ta bëjë këtë punë si mirënjohje që ndien ndaj dëshmorëve.
“Gurselin e kam dashur shpirtërisht, kemi bashkëpunuar me të, më ka ndihmuar shumë dhe kam fituar financiarisht nga ai. Një herë i pata ofruar disa të holla, por që assesi nuk i ka pranuar”, rrëfen Musliu.
E pasi që tërë ditën është në këtë vend, Musliu ka krijuar një mini-dhomë për veten dhe maçokun e tij.
“Unë vij në orën 8 deri në 12, pastaj dal prapë nga 15 deri në orën 18, por verës qëndroj më gjatë. E pasi që jam këtu për kaq shumë kohë, unë kam krijuar këtë dhomë për veten time ku qëndroj bashkë me maçokun tim”, shton ai.
Vullnetarizmin e Musliut e vlerësojnë edhe vetë familjarët e dëshmorëve.
“Unë, Gurseli dhe Bajrami i kemi prindërit vëllezër. Që kur u përurua ky vend Ahmeti është kujdesur për energjinë e duke e mirëmbajtur këtë vend, në çdo sezonë ky memorial ka pamje të bukur dhe e gjithë familja Sylejmani i falënderohet Ahmetit për këtë kontribut vullnetar që e bënë”, shton Sylejmani.
Vëllezërit Gursel e Bajram Sylejmani nga Sodovina e Vitisë ranë heroikisht më 1998 në betejën e Jezercit.