Ismet Kadriu ka filluar vjeljen e specave 3 javë më herët se verat e kaluara. Është faza e parë e të vjelave dhe bujku nga Skenderaj thotë se deri më tani kanë vjelë 4 tonë speca.
Është vetëm faza e parë e vjeljes dhe paketimet janë mbushur plot me speca.
Ismet Kadriu, fermer nga Likoci, së bashku me familjen e tij po punojnë për grumbullimin e specave në sipërfaqen prej 1.3 hektarësh.
Deri më tani kanë mbledhur 4 tonë, ndërsa në fund të sezonit fermeri nga Skenderaj pret rendiment deri në 50 tonë.
“Përafërsisht qe 12 vjet kemi filluar me dredhëza, domate, speca e kështu. Jemi në fazën e parë të vjeljes së specave dhe sa kemi filluar. Nuk kemi shumë fuqi punëtore dhe kryesisht me familjarë jemi duke punuar. Deri më tani diku 4 tonë i kemi qitur, por jemi duke vazhduar e kemi edhe një javë vjelje rregullisht. Deri në fund të sezonit varet prej kohës, por pritet 40-50 tonë”, thotë Kadriu.
Për shkak të temperaturave të larta, sivjet vjelja ka filluar 3 javë më herët.
“Speci sivjet është mirë, kushtet klimatike deri vonë kanë qenë shumë të favorshme, tani me temperatura të larta është pak më rrezik, por, pasi po shkojmë nga vjeshta, shpresojmë të ulen temperaturat. Sivjet vera është më e lartë se zakonisht. Është 3 javë më herët dhe vjelja vazhdon derisa të fillojnë ngricat e para, deri atëherë ka speca”, tregon Kadriu
Megjithëse nuk ka ujë të bollshëm, ujitja bëhet përmes bunarëve.
“Speci e don temperaturën jo shumë të lartë siç është tash, 38 gradë asnjë bimë nuk e përballon këtë temperaturë. Ujitja është me sistem pikë-pikë dhe ruan lagështinë më shumë. Për ujë furnizohemi prej puseve. Si fshat e si zonë është shumë e thatë, nuk kemi ujë të mjaftueshëm, me këto puset, shpime të thella është pak më mirë, por që si tokë është shumë e thatë. Zakonisht bunarët për bahçe dhe nevoja të tjera kanë konsum më të lartë, shpimet shkojnë 70 deri në 100”, deklaron Kadriu.
Edhe pse fshati ku banon familja Kadriu nuk njihet për tokë cilësore bujqësore, ajo megjithatë merret me këtë veprimtari.
“Zakonisht nuk janë marrë me bujqësi për shkak se nuk janë kushtet e favorshme, është toka jokualitative për bujqësi, ka mungesë të ujit dhe në fshat janë 3-4 fermerë që merren jo më shumë”, tregon Kadriu.
Përveç specave, dredhëzat, misri e fasulja janë kultura të tjera që i kultivojnë.
“Punojmë edhe disa punë tjera, disa punë të dyta, por më shumë me bahçe. Me spec kam 1 hektar e 30 ari, 50 ari i kam dredhëza, planifikoj 1 hektar e gjysmë dredhëza, misër i kam 67 hektarë edhe fasule i kam 15 hektarë. Gjendja ka qenë deri vonë shumë e mirë, por tani në mungesë të ujit në temperatura të larta nuk është e mirë. Me dredhëza jemi përafërsisht 12 vjet që merremi. Është kulturë shumë e mirë dhe i përshtatet toka jonë e po ashtu është fitimprurëse. E ka vegjetacionin shumë shkurt dhe kryhet sezoni i saj shumë shpejt, prandaj ia vlen të punohet me të. E kemi në hapësirë të jashtme”, tregon Kadriu.
Sipas Ismet Kadriut, bujqësia sjell të ardhura të bollshme për familjen e tij, prandaj nuk e ka menduar ta braktisë jetesën në fshat.
“Në fshat ia vlen të jetohet. Nuk kanë ikur shumë banorë, siç ka ndodhur në fshatrat e tjera, sepse janë të gjitha kushtet për të jetuar dhe nuk mungon asgjë. Secili e ka gjetur punën e vet, dikush me bujqësi apo punë të tjera. Jetesa është shumë më e mirë në fshat se në qytet”, thotë ai.