SOT

“Qeni që nuk dinte të lehë” mblodhi rreth 300 fëmijë në vikend

Duke vrapuar e me buzëqeshje në fytyrë hyjnë brenda teatrit Dodona fëmijët që erdhën të shohin shfaqjen e kësaj jave.

E prindërit janë ata që përkujdesen për biletat, të cilat mund të rezervohen edhe online.

“Qeni që nuk dinte të lehë” i shkruar nga Xhani Rodari e me regji nga Melihate Qena ishte shfaqja e orës 12 dhe 13.

Shumica e fëmijëve pohojnë të kenë parë edhe shfaqje të tjera në këtë teatër.

Kukulla “Eli” ishte më e përmendura nga ta.

Nga mosha 3-vjeçare e tutje mbushet salla për “Qenin që nuk dinte të lehë”.

Prindërit thonë se mundohen të paktën një herë në muaj t’i sjellin ata në teatrin e kukullave.

Muajt e fundit, Valdet Rama nga teatri thotë se është shtuar numri i vizitorëve të vegjël kjo si pasojë e grevës se fundit në shkolla.

Andaj edhe numri i shfaqjeve dhe orareve ka ndryshuar.

Pëshpërimat, të qeshurat e pyetjet kurioze janë ato që e karakterizuan këtë shfaqje.

Rama thotë se mundohen që brenda muajit të mos ketë përsëritje të shfaqjeve.

Rreth 140 ulëse gjenden në këtë sallë. E ky nuk është vikendi i vetëm që mbushi dy salla plotë.