Dita e saj tash e 7 vjet e përmban në të sportin e notit. Me shumë dashuri dhe pasion në çdo ditë të jetës së saj ajo shkon në qendrën sportive me qëllimin e vetëm që ujin e pishinës ta tronditë nga noti i saj. Madje uji dhe pishina janë ndër gjërat më me vlerë për të.
14-vjeçarja, që është ndër notaret më të mira në vend, deri tash numëron rreth 100 medalje me të cilat është dekoruar si shpërblim për punën e palodhshme që ajo bën. Ndër të gjitha shpërblimet, ajo shquhet për 7 rekordet e thyera në notin kosovar. Edhe në garën e fundit, të mbajtur në Shkup ajo arriti që t’i shtojë medaljet me fitoren e saj.
E filloi si hobi, për ta bërë një sport në të cilin po korr shumë suksese. Këto suksese janë ato që e motivojnë dhe e shtyjnë notaren të vazhdojë të jetë pjesë e këtij sporti. Një pikë tjetër, e cila e forcon dëshirën e saj për t’u marrë me këtë sport, është edhe shëndeti.
E motiv shtesë, Olta i ka edhe arritjet e të tjerëve në këtë sport. Madje ajo synon që një ditë të arrijë suksesin që kanë notarët e saj të preferuar.
Lëvizjet e saj të lira në ujë e bëjnë atë të ndihet mirë dhe vetvetja. Ky është sporti në të cilin 14-vjeçarja e sheh ardhmërinë, dhe jetën e saj duket se ia ka dedikuar atij.
Përpos përgjatë ekzekutimit të tij, se sa e do ajo notin shihet edhe teksa flet për të.
Gara e ardhshme e rëndësishme e Oltës është eventi “Grand Prix” në Selanik, që do të mbahet më 18 dhjetor. Pritet që edhe në këtë paraqitje të shkëlqejë dhe t’i shtojë medaljet e saj.