SOT

Vesel Haxhijaha, berberi me 60 vjet përvojë

Vesel Haxhijaha ka 60 vjet që merret me profesionin e berberit dhe vlerësohet ndër më të vjetrit në këtë zanat në Prishtinë.

Me kalimin e kohës, kanë kaluar edhe kohët “e arta” kur kishte shumë klientë. Thotë se me hapjen e shumë floktarive klientët janë rralluar, por ka disa që i kanë qëndruar besnikë.

Ka mbushur 77 vjet, por kjo s’e pengon që ta vazhdojë punën. Veseli ende punon.

I përkushtuar ndaj punës së tij, ai tregon mjetet e vjetra me të cilat ka punuar, ndër të cilat edhe gërshërët që janë 60 vjet të vjetra dhe janë përdorur për t’i prerë flokët.

Haxhijaha thotë se do të vazhdojë të punojë deri sa të jetë në gjendje të mirë shëndetësore.

Të njëjtin zanat ai dëshiron t’ua trashëgojë nipërve të tij, mirëpo thotë se ata nuk kanë shfaqur ndonjë interes në këtë drejtim.

Veseli nuk është i vetmi berber që punon në këtë lokal. Ai ndan lokalin me Arbër Shehun, djalin e të ndjerit, Kadrush Shehu, një berber tjetër të Prishtinës me nam

Haxhijaha në fillimet e veta ishte i punësuar nga i ati i Arbërit.

Arbër Shehu tregon arsyen se pse u largua nga profesioni i stomatologjisë për ta trashëguar zanatin e babait të tij, berber.

Arbëri dhe Veseli klientët i kanë të ndarë, thonë se më herët kishte shumë kërkesa për berber, ndërsa tani ata janë më të paktë.

Veseli dhe Arbëri kanë vendosur që profesionin e berberit ta ushtrojnë deri sa ta kenë shëndetin.