Për 100 ditë radhazi, Prishtina u bë nikoqire e ngjarjes më të madhe kulturore që ka ndodhur ndonjëherë në vend.
Bienalja Evropiane Nomade, “Manifesta” ka sjellë në kryeqytet intervenime të shumta në hapësirat publike e në disa prej objekteve që e identifikojnë Prishtinën.
Ndër vendet ku pati ndërhyrje është hoteli “Grand”, ndërtesa të cilën secili e njeh nga jashtë e pakkush e ka parë përbrenda.
Ndërhyrjet janë bërë në 7 kate të hotelit, ku nëpërmjet veprave artistike vijnë të shtjelluara 7 tema sociale.
Kati i katërt mban temën e dashurisë, ku një ndër instalacionet janë edhe listat me këngë dashurie nga persona të njohur, si presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.
Kuratorja kryesore e Bienales “Manifesta”, Catherine Nichols, tregon se gjithë kjo vjen si rezultat i rrëfimeve nga qytetarët e Kosovës, sfidat e përditshmëritë e tyre.
Nichols tregon se kjo punë që është bërë për gati 1 vit, si synim e ka që secili që e viziton cilëndo pikë të “Manifestas” ta gjejë një copëz të vetes aty.
Nga reagimet e vizitorëve thotë se dita-ditës po e sheh më afër arritjen e këtij qëllimi.
Në fokus të veçantë përveç tjerash është edhe e ardhmja, në katin e fundit të “Grandit” që e mban temën “Spekulimi”.
Janë mbi 20 pjesëmarrës në ndërhyrjet që i janë bërë hotelit “Grand”, qofshin ata artistë apo figura që u përkasin fushave të tjera të jetës në Kosovë.